Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë, ky është vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, në aktgjykimin e saj për këtë çështje.
Dy të paditurve, Arben e Xhelal Berishës, u është lënë mundësia alternative që Shyhrete Berishës t’ia paguajnë shumën prej 130 mijë eurosh, aq sa është vlerësuar pjesa e shtëpisë.
Këtë e ka konfirmuar edhe avokati i Berishës, Naim Çelaj duke pohuar se pret që edhe instancat më të larta të konfirmojnë këtë vendim.
“Vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit – Dega në Suharekë ka pranuar në tërësi pretendimet e Shyhrete Berishës të cilën e kam përfaqësuar në betejën për të fituar të drejtën që të jetojë në shtëpinë ku ka rritur fëmijët. Presim që vendimi të bëhet fuqiplotë edhe nga instancat tjera. Kjo betejë ishte më shumë se juridike. Uroj që palët ta kuptojnë dhe kjo të shërbejë si shembull për të gjitha gratë që në një formë a tjetër u mohohet e drejta”, ka shkruar Çelaj në Facebook.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, përveç gjysmës së shtëpisë ku kishte jetuar, ka vërtetuar se Berisha gëzon të drejtën e pronësisë edhe në dy prona të tjera.
Shyhrete Berisha, e mbijetuar e masakrës ndaj familjes Berisha, në vitin 2013 kishte paditur Arben e Xhelal Berishën për t’iu njohur e drejta e pronësisë në shtëpinë ku kishte jetuar deri më 26 mars të vitit 1999.