Avokati i Shtetit i reagon Ministres së Drejtësisë: Vendimi juaj është i paligjshëm

Avokati i Shtetit i reagon Ministres së Drejtësisë: Vendimi juaj është i paligjshëm

Avokati shtetëror, Shefqet Hasimi, i cili është suspenduar nga Ministria e Drejtësisë pas kritikave për keqpërdorim ndaj zyrtarëve të AKP-së, e ka cilësuar vendimin ndaj tij si të pabazë.

Hasimi – suspendimi i të cilit erdhi pasi kishte dërguar një letër zyrtarëve të Agjencisë së Privatizimit duke i kritikuar për privatizimin e një parcele toke dhe për rastin e Hotel Grandit –  thotë se suspendimi i tij është bërë për shkak të frikës për inicimin e një procedure në Prokurorinë e Shtetit lidhur me këto raste.

Ai beson se lidhur me rastet për të cilat u ka shkruar zyrtarëve të AKP-së, buxheti i Kosovës dëmtohet me miliona euro.

“Pretendimet e zonjës Hoxha janë plotësisht të pabaza, dhe me pretendime që nëpërmes këtyre shkrimeve, dhe përmes Agjensionit Kosovar të Privatizimit, nga frika se po iniciohet një procedurë në Prokurorinë e Shtetit. Edhe është e vërtetë se unë e kam njoftuar edhe Prokurorinë e Shtetit, se konsideroj se në këtë rast dëmtohet buxheti i Kosovës me miliona euro si dhe shumë hektar të tokave për 99 vite”, thotë ai në një bisedë me Insajderin.

Për më tepër, sipas avokatit Hasimi, nuk është kompetencë e Ministres Hoxha për ta shkarkuar atë.

“Unë nuk i përgjigjem ministres, por i përgjigjem Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror. Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Heset Mazrekaj, as që është në dijeni lidhur me suspendimin tim sipas vendimit të nxjerrë nga ministrja”.

Ministrja Hoxha ka vendosur ta suspendojë Hasimin, pasi ky kishte dërguar një e-mail zyrtarëve të AKP-së, ku i kritikonte për dy raste: dhënien me qira të një parcelë për 99 vite, dhe rastin e Hotelit Grand.

“Kemi shumë raste të njëjta ku dënohet buxheti i Kosovës, ju e dini se çfarë demi i keni shkaktuar edhe me Grand Hotelin dhe shumë shitje të tjera të LIGJSHME, nëse nuk ndërmerrni veprime ju do të jeni subjekt i HETIMEVE, kërkoj që së shpejti do të merr vendim BORDI I AKP-së”, thuhet ndër tjerash në e-mailin e Shefqet Hasimit, të dërguar më 2 qershor.

Por, një deklaratë e tillë, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është në kundërshtim me rregulloret në fuqi.

Në vendimin për suspendimin e avokatit Hasimi, të cilën e ka siguruar Insajderi, thuhet se deklaratat e avokatit Hasimi janë të paargumentuara si dhe rasti për të cilin ai ka shkruar është në kontest në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

“Tashmë ky rast [rasti i Hotelit Gradn v.j] është në kontest në arbitrazh ndërkombëtar dhe deklarimet e tilla(të pa argumentuara) të zyrtarëve shtetërorë, aq më tepër të institucionit i cili është përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi për përfaqësim të Republikës së Kosovës në këtë procedurë të arbitrazhit, konsiderohen si shkelje serioze e dispozitave të cekura më lartë”, thuhet në vendimin e MD-së.

Të martën, Ministria e Drejtësisë ka thënë se “Avokati shtetëror, Shefqet Hasimi, e ka bërë këtë deklaratë të pavërtetë edhe pse Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për Çështjet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në dy instanca e ka vërtetuar se privatizimi i Hotelit Grand ka qenë i ligjshëm. Kjo çështje është ngritur edhe deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka refuzuar ankesën”, thuhet në komunikatë.”/Insajderi.com