Avokati pretendon se nuk ka prova për arrestimin e Tahirit

Avokati pretendon se nuk ka prova për arrestimin e Tahirit

Avokati i Tahirit Artan Hajdari tha se kërkesa e organit të akuzës për arrestimin është e pabazuar në ligj, për shkak se Prokuroria mund ta hetojë deputetin edhe pa i hequr imunitetin, me ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës për këtë çështje.

“Nuk duhet të abuzojmë me provat që përbëjnë sekret hetimor, ato janë të përcaktuara shumë qartë në Kod. Kam të drejtë t’i kërkoj të më vihet informacioni në dispozicion. Kërkesa e organit të akuzës është e pabazuar në ligj, dhe e pabazuar në prova. Kërkesa për arrestin apo për kontrollin e banesë, ka një kontekst të ri në raport me ndryshimet kushtetuese. Çështja e imunitetit e ka ngritur parlamentin në një nivel tjetër. Kërkesa duhet të shoqërohet me prova që e mbështetin kërkesën. Kjo kërkesë që na është vënë në dispozicion nuk ka pasur asnjë provë. Ky është një problem procedural që ju duhet ta përmbani në raport. Është evidente që këto prova nuk përbëjnë atë karakter që duhet të ketë kjo kërkesë për të dhënë një autorizim për arrestimin e deputetit. Vlerën provës ja jep gjykata, nuk ja japim as ne këtu as procesi i hetimet. Janë akte dhe dokumente që marrin vlerën e provës vetëm në Gjykatë”, tha Hajdari, duke bërë të qartë kështu se për arrestimin e deputetit duhet më parë vendim gjykata që t’i ketë shqyrtuar këto prova.

Ai evidentoi se prokuroria ka vetëm dy prova, akt shitjen e makinës së Saimir Tahirit ndaj personit që ka lidhje familjare në shkallë të largët me të, që është Artan habilaj. “Kjo ka vlerë vetëm për ata që e kanë nënshkruar”, tha Hajdari.

Prokuroria e ka lidhur këtë me faktin që makina është përdorur nga ana e personave që kanë qenë në hetim në Itali, ku u arrestua pak javë më parë Moisi Habilaj, i akuzuar si kreu i bandës së trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali.

“Sistemi TIMS nuk tregon që Tahiri ka udhëtuar me Habilajn në makinën Audi A8”, – tha avokati i deputeti socialist duke theksuar se në udhëtimin që ka bërë me makinë Tahiri ka qenë me familjarët e tij duke shkuar me pushime në Greqi. Ky udhëtim është bërë një vit pasi Tahiri ja kishte shitur makinën Artan Habilajt, dhe siç ai e ka sqaruar publikisht, ja ka marrë sërish përmes xhaxhait të tij, për të mos përdorur për pushime makinën zyrtare të ministrisë.

Avokati tha se nuk ka vend për urgjencën që po krijon prokuroria, në kushtet kur procedimi penal për deputetin Tahiri është regjistruar vetë më 17 tetor të 2017-ës.

“Nuk ka asnjë implikim që tregon lidhjen direkte dhe indirekte apo lidhje aksidentale, apo dyshime që mund të krijojnë bindjen në lidhje me veprimtarinë e atij grupi kriminal. Është për të ardhur keq që një hetim që ka nisur që në 2016 për një grup kriminal, ndërkohë që hetimet në Itali kanë 4 vjet që bëhen për të njëjtin grup, bëhet në mënyrë kaq urgjente me insistim, për një çështje penale ndaj një deputeti dhe vihet ne 48 orë në parlament, dhe kërkohet të ndahet në dy momente publike dhe jo publike. Seanca duhej të ishte e gjitha publike se nuk ka asnjë provë që të jetë sekret hetimor”, tha avokati i ish-ministrit të Brendshëm.

Ndërsa avokati paraqiste pretendimet e tij, ish-ministri Tahiri është larguar nga mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores dhe pas disa çastesh i është bashkuar sërish kolegëve në sallë.