Avokati i Popullit i shqetësuar me tekstet shkollore diskriminuese

Avokati i Popullit i shqetësuar me tekstet shkollore diskriminuese

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka zhvilluar sot një takim me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit dhe hapave që mund të ndërmerren sa i përket përmirësimit të gjendjes së të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Në këtë takim me theks të  veçantë është diskutuar gjuha diskriminuese dhe fyese për personat me aftësi të kufizuar, e përdorur në tekste shkollore.

Shoqata Down Sindrom Kosova, e pranishme në këtë takim, ka ngritur shqetësimin tek Avokati i Popullit lidhur me terminologjinë e përdorur në librin e biologjisë së klasës së 10-të dhe 11-të, ku  Sindroma Down cilësohet si “ Idiota Mongoloide” dhe personat me sindromën Down, në këto tekste karakterizohen se “ jetojnë më së shumti 10-15 vjet”.

Avokatit të Popullit tha se termi i tillë ofendues për personat me Sindromën Down, është terminologji e tejkaluar që nga vitet e 80-ta.

“Përdorimi i termave dhe koncepteve në literaturën shkollore, që nuk janë në pajtim me dinamikën e avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, për Avokatin e Popullit paraqet jo vetëm shqetësim, por edhe nevojë urgjente për korrigjime. Gjuha e tillë e përdorur  për personat me Sindromën Down, ashtu siç edhe raste të tjera kur përdoret gjuhë denigruese dhe diskriminuese, paraqet mungesë të profesionalizimit dhe joevoluim të njohurive dhe vetëdijes sa i përket respektimit të të drejtave  dhe lirive të njeriut”, ka thënë Jashari.