Avokati i Popullit kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e Ligjit për Kundërvajtje

Avokati i Popullit kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e Ligjit për Kundërvajtje

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, sot ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, për shfuqizimin dhe pezullimin e nenit 55, paragrafët 4–5 dhe neneve nga 56 deri në 68 të Ligjit Nr.05/L-087 për Kundërvajtje.

Arsyeja e dërgimit të kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Avokatit të Popullit ka të bëjë me faktin se Ligji në fjalë përmbyt parimin e gjykimit të lëndëve kundërvajtëse nga gjykatat përkatëse, ka thënë zyra e Avokatit të Popullit.

Në këtë komunat shkruan se delegimi i kompetencave gjykuese tek organet administrative dhe ekzekutive, paraqet shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë nga një tribunal i pavarur, të garantuar nga neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Popullit gjithashtu ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e menjëhershëm të dispozitave të kontestuara, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. /Insajderi.com