Avokati i Popullit godet Policinë e Prokurorinë: Është shqetësues fakti që ende nuk u arrestuan sulmuesit e Parim Ollurit

Avokati i Popullit godet Policinë e Prokurorinë: Është shqetësues fakti që ende nuk u arrestuan sulmuesit e Parim Ollurit

Avokati i Popullit, në një raport për sigurinë e gazetarëve, sulmi fizik ndaj drejtorit të Insajderit Parim Olluri e ka vlerësuar si një nga rastet më të rënda të rrezikimit të integritetit trupor dhe jetës ndaj gazetarëve në Kosovë.

Ky institucion, në ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund mos ndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që me urgjencë t`i kapin sulmuesit.

“Një shkas i veçantë i hartimit të këtij raporti nga ana e Avokatit të Popullit, është rasti i sulmit ndaj gazetarit dhe Drejtorit të gazetës “Insajder” z. Parim Olluri. Ky rast i sulmit ndaj gazetarit Parim Olluri paraqet një nga rastet më të rënda të rrezikimit të integritetit trupor dhe jetës ndaj gazetarëve në Kosovë. Si i tillë përbën një nga format më të rënda të cenimit të lirisë së shprehjes dhe rrezikimit të gazetarëve në Kosovë”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, sulmi ndaj Ollurit njëherit ilustron edhe shkallën e vrazhdësisë së sulmit ndaj një gazetari, “si tendencë e kufizimit arbitrar dhe të dhunshëm të lirisë së shprehjes dhe mediave në Kosovë”.

Drejtori i Insajderit Olluri, ishte sulmuar mbrëmjen e 16 gushtit nga persona ende të panjohur, ani pse nga xhirimet e siguruara nga kamerat e bizneseve përreth vërehen sulmuesit Policia ende nuk i ka kapur ata.