Avokati Halimi: PDK në Mitrovicë synoi eliminimin politik të Agim Bahtirit

Avokati Halimi: PDK në Mitrovicë synoi eliminimin politik të Agim Bahtirit

Inicimin e PDK-së në Mitrovicë kundër kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë, duke pushuar procedurat penale ndaj tij dhe dy zyrtarëve tjerë.

“Aktakuza e cila i ngarkon ata për veprat penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, (A.B. dhe H.F. ) dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender, (G.K.), e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është hudhur. Procedura penale ndaj tyre është pushuar”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Por Mahmut Halimi, avokat i kryetarit Bahtiri, ka thënë se denoncimi i PDK-së në Mitrovicë ka pasur për qëllim eliminimin politik të tij dhe marrjen më të lehtë të pushtetit.

“Motivi veç po dihet. Qëllimi për dëmtim dhe eliminim të Agim Bahtirit dhe për të luftuar për pushtet në komunë”, ka thënë avokati Halimi për Insajderin.

Megjithatë, ai ka thënë se gjatë gjithë procesit gjyqësor është komprometuar drejtësia.

“Aty është komprometuar drejtësia deri në pikën e fundit, për shkak se që nga fillimi i procedurës nuk ka pasur asnjë indicie që tregon për keqpërdorim të asnjë centi në ushtrimin e detyrës, gjegjësisht në ata tenderë të cilët kanë qenë aktual para Prokurorisë Speciale”, ka shtuar ai.

“Kjo dihet që është iniciuar nga ana e subjektit tjetër partiak, PDK-së, që e ka çuar një denoncim, dhe prokuroria, ose ka rënë nën ndikim, ose ka rënë pre e mungesës së profesionalizmit për ta bërë dallimin e një ofertë me një ofertë tjetër”, ka shruar ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër kryetarit të komunës së Mitrovicës Agim Bahtirit, zyrtarit të prokurimit Haxhimet Ferati dhe biznesmenit Gazmend Kelmendi për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrëveshje për kufizimin e konkurrencës”.

Kontrata për të cilën akuzoheshin Bahtiri dhe dy të tjerët parashihte furnizimin, montimin dhe mirëmbajtën e ndriçimit efiçent në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës./Insajderi.com