Avokati i Grupit të Kumanovës: Katër pjesëtarë u likuiduan pas dorëzimit

Avokati Raufi thotë se do të kërkojë edhe obduksionet e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, për shkak të dyshimeve se nuk përputhen me obduksionet e Maqedonisë.

Avokati i Grupit të Kumanovës: Katër pjesëtarë u likuiduan pas dorëzimit

Naser Raufi, avokat i Grupit të Kumanovës, thotë se ka prova që dëshmojnë likuidimin e disa prej prestarëve të Grupit të Kumanovës pas dorëzimit, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme nuk beson të ketë ngjarë diçka e tillë, sidomos jo në ambientet e stacionit policor.

“ Kemi dëshmi prej vetë të akuzuarve që kanë qenë në grup me këta që praktikisht janë likuiduar. Ne do ta argumentojmë dhe kemi prova, pavarësisht se Prokuroria e mohon këtë, sepse e kemi pritur ne si palë mbrojtëse që do të jetë e mohuar. Nënkuptohet arsyeja e mohimit, pasi duhet të ketë përgjegjësi nga personat e involvuar”, ka deklaruar Naser Raufi, avokat në emisionin Intervista nw Maqedoni.

Avokati Raufi pohoi se e gjithë ngjarja në Kumanovë ka zgjatur vetëm disa orë, ndërsa është mbajtur artificialisht tensioni me qëllim që të përfshihen palë të ndryshme dhe të destabilizohet vendi.

Raufi thotë se do të kërkojë edhe obduksionet e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, për shkak të dyshimeve se nuk përputhen me obduksionet e Maqedonisë. Ai gjithashtu paralajmëroi se me kërkesë të avokatëve mbrojtës, për dëshmi në gjykatë do të ftohen ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe disa pjesëtarë të tjerë të shërbimit sekret.

Por pretendimet e Raufit se katër veta janë likuiduar brenda stacionit policor i hedh poshtë Qeveria maqedonase.

“Pas publikimeve dhe hetimeve brenda Ministrisë së punëve të Brendshme, nuk kemi njohuri të tilla, as raste të dokumentuara. Nuk besoj të ketë mundur të ndodhë një gjë e tillë brenda stacionit policor. Megjithatë këtyre pyetjeve duhet të ju përgjigjen njerëz nga shtabi, pra ata që e kanë udhëhequr aksionin e Kumanovës në atë moment”, është shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.