Avokati Gashi fajëson Thaçin pse nuk ka ngritur padi ndaj Serbisë për gjenocid  

Avokati Gashi fajëson Thaçin pse nuk ka ngritur padi ndaj Serbisë për gjenocid   

 

Avokati Tomë Gashi përmes një statusi në Facebook ka kritikuar politikën e vendit për mos paditjen e Serbisë për gjenocid ndaj Kosovës.

Gashi ka kritikuar votimin për themelim të Gjykatës Speciale, Ai ka thënë se në vend që Serbia të gjykohet dhe kosovarët nga viktima të luftës u shndërruan në të akuzuar potencialë për krime të luftës.

“Pse Kosova nuk po e padit Serbinë për gjenocid? Kosova faktikisht që nga 12 qershori 1999, ka pasur të drejtë që ta padisë Serbinë për gjenocid ndaj popullit shqiptarë të Kosovës, meqenëse vrasjet masive, duke përfshirë edhe qindra masakra të popullatës civile, plagosjet masive, shkatërrimet masive të vendbanimeve të shqiptarëve dhe të gjitha të këqijat e tjera, Serbia i ka bërë në mënyrë sistematike dhe të organizuar vetëm për shkak të urrejtjes nacionale ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Gashi ka kritikuar edhe presidentin Hashim Thaçi për deklaratat se do ta padisë Serbinë për Gjenocid, ndërsa në të njëjtën kohë ka negociuar me palën serbe, sipas Gashit, për çështje të brendshme të Kosovës.

“Kërcënimet’ e tij ndaj Serbisë kanë qenë për përdorim të brendshëm politik, për të krijuar flluska kërcënuese ndaj Serbisë me padi për gjenocid, e në të njëjtën kohë duke negociuar me Serbinë në Bruksel për çështje të brendshme të Kosovës dhe duke i paraqitur këto negociata kinse janë në të mirë të Kosovës. Ata që negociojnë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, kurrë nuk do ta padisin Serbinë për gjenocid, sepse janë të sigurt se kjo sigurisht nuk do t’i pëlqej Serbisë, por ky nuk është problemi kryesor i tyre”, ka thënë më tej Gashi.

Gashi ka thënë se Kosovës askush nuk ia ka ndalur që të padisë Serbinë për Gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, njëjtë siç kanë bërë edhe Krocia, Bosnja dhe Hercegovina.

“Edhe pse, Kosova ka qenë e lirë nga okupatori serb që nga 12 qershori i vitit 1999, Kosova deri më datën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 juridikisht ka qenë nën patronatin e OKB-së, respektivisht Misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Ky fakt është përdorur nga politikanët e lartë të Kosovës, se kinse nuk mund të bëjnë asgjë në drejtim të padisë kundër Serbisë, sepse këto çështje kanë qenë pjese ekskluzive e UNMIK-ut”, ka shkruar Gashi./Insajderi.com