Avni Llumnica, i dyshuari tjetër për tentim-vrasjen e Azem Vllasit

Avni Llumnica, i dyshuari tjetër për tentim-vrasjen e Azem Vllasit

Avni Llumnica është emri i personit të arrestuar për bashkëkryerje të tentim vrasjes ndaj Azem Vllasit, ngjarje që ndodhi mëngjesin e të hënës në Prishtinë.

Policia e Kosovës, pak orë pas plagosjes së avokatit dhe ish-liderit komunist Azem Vllasi në zyrën e tij, ka kapur dy persona të dyshuar, shkruan Express.

Murat Jashari është arrestuar si i dyshuari kryesor për këtë tentim vrasje, ndërsa Avni Llumnica si bashkë pjesëmarrës në plagosjen që u krye me armë shurdhuese brenda zyrës së Vllasit në Prishtinë.

“Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg  veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, ku në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me AKI-në ka bërë lokalizimin e personave të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, lidhur me rastin në fjalë janë arrestuar deri tani dy persona të dyshuar, ku njëri prej tyre M. J. (1956) dyshohet se është kryerësi i kësaj vepre, ndërsa personi i dyshuari i dytë është A. LL. viti (1964)”, ka njoftuar Policia.

52 vjeçari Llumnica është vëllai i dëshmorit Nexhmi Llumnica, i vrarë nga policët serb në maj të vitit 1999 në Konushevc të Podujevës. /Insajderi.com