Avioni përplaset me pistën, shpërthen në flakë

20.03.2017 21:25
Avioni përplaset me pistën, shpërthen në flakë

Një avion pasagjerësh u përplas me pistën për shkak të motit të keq në një aeroport në Sudanin e Jugut, mrekullisht pa shkaktuar asnjë viktimë.

Incidenti ndodhi në aeroportin e qyteti Wau, në veriperëndim të vendit, ku autoritetet lokale nuk mund të shpjegonin se si pasagjerët dolën me këmbët e tyre nga mbeturinat e avionit në flakë dhe thjesht falenderuan rastësinë fatlume apo zotin për këtë mrekulli.

Mjegulla e dendur që kishte mbuluar aeroportin nuk lejoi pilotin që të shihte pistën gjatë procedurës së uljes dhe rrjedhimisht ai llogariti keq distancën duke u përplasur dhunshëm në tokë, shkruan Top-channel.

Ekipet e shpëtimit që vërshuan në vendngjarje thanë se nuk prisnin të gjenin asnjë të mbijetuar pas përplasjes dhe zjarrit që përfshiu mjetin fluturues, por 43 personat në bordin e mjetit fluturues shpëtuan që të gjithë.

Pjesa më e madhe pasagjerëve janë kthyer tashmë në shtëpitë të tyre, ndërsa disa u trajtuan në spital për plagë të vogla dhe jo kërcënuese për jetën.