Avantazhet e ‘të majtës’

Avantazhet e ‘të majtës’

Nëse një “djathtosh” nuk ka provuar kurrë të shkruajë, të përdorë një pirun apo qoftë edhe të hapë një derë me dorën e majtë nuk është në gjendje të kuptojë: jeta e mëngjarashëve, të detyruar të jetojnë në një botë të projektuar për njerëzit që punojnë me të djathtën, është shumë komplekse, të paktën nga pikëpamja praktike. Në shumë gjuhë, fjala “e djathtë” jo vetëm që është përdorur për të përcaktuar një drejtim, por për të ditur edhe vërtetësinë, korrektësinë. Në anën tjetër, fjala “e majtë”, në gjuhët si rusishtja, shpesh është përdorur për të treguar diçka jo të vërtetë ose të një cilësie të dobët.

E megjithatë, tashmë shkenca e ka vërtetuar katërçipërisht se të jesh mëngjarash, nga pikëpamja neurologjike, ka një numër të madh avantazhesh: kreativitet, mendim i shpejtë dhe një predispozitë më e madhe për të zgjidhur probleme të ndryshme.

Albert Einstein – Mëngjarash është më mirë?

Më tepër kreativë, më të aftë, më të pasur: pas shekujsh të tërë represioni – deri disa vite më parë mëngjarashët korrigjoheshin vazhdimisht në shkollë duke u imponuar që të përdornin dorën e djathtë – kush shkruan me dorën e majtën mundet më në fund “të hakmerret”. Studime të shumta kanë konfirmuar se njerëzit që shkruajnë me dorën e majtë, rreth 10% e popullsisë, kanë probabilitet më të lartë që të mposhtin “të djathtët” në shumë fusha. Por çfarë janë mëngjarashët? Kjo aftësi lidhet me një prevalencë të përdorimit të hemisferës së djathtë të trurit në disa aktivitete: mëngjarashët, përveçse përdorin më shumë dorën e majtë, përdorin gjithashtu më tepër syrin dhe veshin e majtë. Përveç Albert Einstein (një mëngjarash “i korrigjuar”, siç ishte zakon në atë kohë), cilët janë disa nga mëngjarashët e famshëm? Në cilat fusha kanë shkëlqyer? Dhe mbi të gjitha … është e vërtetë se ata janë më të zgjuar? Ja disa prej tyre…

Barack Obama – Oratorë të shkëlqyer

Një studim britanik i botuar në “Nature Neuroscience” ka treguar se mëngjarashët janë më të predispozuar nga pikëpamja neurologjike, për “të ushtruar” artin e oratorisë: truri i tyre, në fakt, ndryshe nga ai i njerëzve që shkruajnë me dorën e djathtë, i përdor të dyja hemisferat për përpunimin e gjuhës. “Në thelb, – thotë Chris McManus, – profesor i psikologjisë në ‘University College’, në Londër dhe autor i studimit, – nëse ‘të djathtët’ kur flasin përdorin vetëm hemisferën e majtë të trurit, që është përgjegjëse për ‘hartimin’ e gjuhës, mëngjarashët shfrytëzojnë në të njëjtën kohë edhe hemisferën e djathtë, dominuese në trurin e tyre”. Një nga modelet më të mira të mëngjarashëve oratorë është padyshim Barack Obama, presidenti i 44-t i SHBA-së. I lindur në vitin 1961, në Honolulu, Barack Hussein Obama II është president i rekordeve: përveçse është afrikano-amerikani i parë që bëhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Obama ishte gjithashtu afrikano-amerikani i parë në garë për Shtëpinë e Bardhë në një nga partitë më të mëdha të vendit.

Van Gogh – Superpiktorë

Piktorë, arkitektë, projektues, ilustrues: në mesin e atyre që përdorin lapsin (por edhe furçën apo daltën) mëngjarashët janë vërtet me shumicë. Të ketë vallë ndonjë lidhje mes aftësisë ilustruese dhe dorës së majtë? Sipas shkencëtarëve, kjo mund të ketë të bëjë me faktin se ana e djathtë e trurit, dominante te mëngjarashët, është “selia” e kapacitetit vizual: kush është mëngjarash pra, mund të ketë avantazhe në të gjitha aktivitetet dhe artet vizuale. Autor i më shumë se 864 pikturave dhe 1000 vizatimeve, Van Gogh ishte padyshim një nga njerëzit me influencë më të madhe në botën e artit të shekullit të njëzetë.

John McEnroe – Më të shpejtë nga të gjithë

Për të njëjtën arsye si më sipër, mëngjarashët duket se kanë avantazhe edhe në fushën e sportit: dora dhe këmba e tyre e majtë janë të lidhura me anën e djathtë të trurit, e njëjta që kontrollon funksionalitetin vizualo-hapësinor: në këtë këndvështrim, veprimi dhe përfundimi i asaj që ndodh në fushë do të bëhet shumë më shpejt se sa tek ata që përdorin të djathtën. Te këta të fundit, në fakt, informacioni duhet të kalojë nga një hemisferë te tjetra deri në realizimin e veprimit konkret. John McEnroe, i lindur në vitin 1959, një nga lojtarët më të mëdhenj të tenisit të të gjitha kohërave, mban rekordin botëror, si tenisti që ka fituar më shumë turne ATP individualë dhe dyshe, gjatë katër dekadave që ka ushtruar këtë sport.

Në vitin 2006, në moshën 47-vjeçare, ai arriti të fitonte titullin e fundit në karrierën e tij të gjatë, turneun “SAP San Jose”, Kaliforni

Napoleon Bonaparti – Strategë të jashtëzakonshëm

Sipas një studimi të universitetit “St. Lawrence”, në Nju Jork, mes të gjithë njerëzve me koeficientin më të lartë të zgjuarsisë, pra superinteligjentët, gjendet numri më i madh i mëngjarashëve. Alan Salerman, autor i studimit, shprehet se inteligjenca e mëngjarashëve është më “fluide” dhe se te këta individë vërehet një prirje më e madhe për të zgjidhur problemet. Ndoshta kjo është arsyeja pse Napoleon Bonaparti (1769 – 1821) është konsideruar si një prej strategëve më të mëdhenj ushtarakë në histori?

Bill Gates – Me të majtën, më të pasur

Një studim i kryer nga Zyra Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregon se, në SHBA meshkujt mëngjarashë kanë të ardhura mesatare 15% më të larta sesa ata që përdorin të djathtën. Sipas autorëve të studimit, duke qenë se mëngjarashët janë më kreativë dhe më të zgjuar se mesatarja e popullsisë, zënë pozicionet më të rëndësishme nëpër kompani të ndryshme, si rezultat edhe me paga më të larta. Mes mëngjarashëve multimilionerë, një vend i takon edhe William Henry Gates III, i njohur si Bill Gates, i cili që nga viti 1996 ka qenë vazhdimisht në renditjen e tre njerëzve më të pasur në planet.