Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ bllokon disa fshatra

Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ bllokon disa fshatra

Deri para pak muajsh, banorët e fshatit Pledenicë dhe tre fshatrave përreth kishin katër rrugë alternative për t’u kyçur në qytetin e Hanit të Elezit.

Por, me fillimin e punimeve të autostradës “Arbën Xhaferi”, u ka mbetur vetëm një, raporton KTV.

Me mbarimin e punimeve edhe ajo do të mbyllet, duke e zëvendësuar me rrugën përmes një nënkalimi, të cilit ka nisur t’i jepet formë, e pjerrtësia e të cilit thonë se është rreth 15 shkallë.

Banorët tregojnë se kanë diskutuar edhe me menaxherë të projektit, të cilët u kanë thënë se nuk mund të bëhet asgjë pa vendim të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në ministri, këshilltari politik, Argjend Zejna, pajtohet me pakënaqësi e banorëve dhe tregon se po tentohet për uljen e pjerrtësisë.

Ndërsa është duke u punuar edhe për shtrimin e rrugës alternative prej 600 metra, e cila planifikohet të përfundojë në fundvit.

Nëse këto zgjidhje nuk do t’i përmbushë ministria, atëherë banorët kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve të Bechtel Enkës.