Autoriteti i Hekurudhave kërkon ndalimin e trenit ilegal nga Kraljeva në veri

Autoriteti i Hekurudhave kërkon ndalimin e trenit ilegal nga Kraljeva në veri

Bordi mbikëqyrës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave ka kërkuar ndaljen e menjëhershme të qarkullimit të trenit që qarkullon nga Serbia në veri të Kosovës.

Kërkesën për ndalimin e këtij treni që sipas tyre është ilegal, bordi u ka dërguar Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës e Hekurudhave.

Sipas Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, treni që qarkullon nga Krajleva në veri është i paregjistruar tek autoritetet hekurudhore ndërsa sipas ligjeve në fuqi, vetëm trenat dhe linjat e regjistruar tek TrainKos kanë të drejtën e operimit në territorin e Kosovës, njofton RTK.

Para disa ditëve, institucionet e Kosovës kanë kthyer prapa një tren të nisur nga Beogradi në veri të Kosovës, meqë është cilësuar si i paligjshëm dhe për më tepër ka pasur mbishkrime provokuese./Insajderi.com