Autoritetet gjermane e kanë ekstraduar një serb

Ai me vite ishte fshehur në Munih dhe është akuzuar për arrestim kundërligjor, torturim dhe vrasje të civilëve boshnjakë.

Autoritetet gjermane e kanë ekstraduar një serb

Autoritetet gjermane të mërkurën ia kanë dorëzuar autoriteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës një serb i cili dyshohet për rrëmbim dhe vrasje të civilëve boshnjak të zënë rob në rajonin e komunës së Prijedorit në fillim të luftës në këtë vend.

Millorad Obradoviq nga Prijedori me vite ishte fshehur në rajonin e Munihut ku ishte zbuluar kah fundi i vitit të kaluar dhe është marrë vendimi për ekstradimin e tij në Bosnje dhe Hercegovinë.

Obradoviq është nën hetim të departamentit special për krime lufte të Prokurorisë së Shtetit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe është dyshuar se në korrik të vitit 1992 ka marrë pjesë në arrestim të kundërligjshëm dhe torturim të rreth 120 civilëve me kombësi boshnjake në lokalitetin e Miska Glava në komunën e Prijedorit.

Boshnjakët të marrë me dhunë më pas janë pushkatuar në lokalitetin Kipa – Ljubija.

Obradoviqin 51 vjeç Prokuroria Shtetërore e Bosnjës dhe Hercegovinës e ngarkon se personalisht i ka vrarë tre civilë të kombësisë boshnjake, duke qëlluar në ta nga arma e zjarrit në stadiumin e klubit të futbollit Rudar./Insajderi.com.