“Autobusi i urrejtjes”, ndalohet nga gjykata në Spanjë

“Autobusi i urrejtjes”, ndalohet nga gjykata në Spanjë

Një gjykatës në Madrid mbështeti vendimin e bashkisë së qytetit për të ndaluar qarkullimin e një autobusi ngjyrë portokalli të mbuluar me mesazhe kundër transgjinorëve.

Gjykatësi Jose Juan Escalonilla tha se autobusi nuk do ët lëvizë, derisa të hiqen sloganet e shkruar mbi të, që janë cilësuar ofenduese.

Debati nisi pasi autobusi që i përket grupit katolik Hazte Oir u shfaq në rrugë me mesazhe që mbështesin idenë se gjinitë s’mund të këmbehen.

“Djemtë kanë penisë, ndërsa vajzat kanë vulvë. Mos u mashtroni”, shkruhet në anë të autobusit. Një tjetër mesazh mbi të thotë se nëse lind burrë apo grua, kështu do të jesh gjithë jetën.

Reagimi i parë erdhi nga bashkia e Madridit, e cila e ndaloi autobusin të dalë në rrugë. Megjithëse zyrtarë të bashkisë thanë se mesazhe të tilla urrejtje s’mund të tolerohen, teknikisht, autobusi u ndal sepse kishte shkelur rregulloret për reklamat.

Grupi Hazte Oir, i cili ka në plan një turne të Spanjës me këtë autobus, tha se në të ka shkruar thjesht fakte biologjike që studiohen në shkolla. Përfaqësues të këtij grupi thanë se do të apelojnë vendimin e gjykatës, madje po kërkojnë një mjet të dytë për të zëvendësuar të parin.

Por sipas prokurorëve të Madridit, tashmë ka nisur hetimi për të zbuluar nëse grupi katolikë është fajtor për një krim urrejtje. Autobusi i urrejtjes, siç mori shpejt nofkën, u dënua gjerësisht edhe nga publiku madrilen, madje mediat raportojnë se autoritetet në Barcelona, e cila ishte etapa e dytë e grupit katolik, po marrin masa për të ndaluar një përpjeke të mundshme për të udhëtuar në këtë qytet.