Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës shprehet se në fund të muajit gusht, kishte një fluks të daljes nga Kosova, si rezultat i kthimit të diasporës, por Policia e Kosovës, nuk ka vërejtur fluks të shtimit të kalimit /daljes përmes pikave të kalimit të kufirit këto ditë.
“Gjithashtu nuk ka asnjë konfirmim nga asnjë shtet i BE -se, se ka rritje të numrit të kërkesave të kosovarëve për azil në këto shtete”, ka thënë Hoxha për gazetën “Insajderi”.
Hoxha njofton se mbrëmë nga stacioni i autobusëve është nisur vetëm një autobus dhe i njëjti autobus po ashtu nuk ka plotësuar kriteret për kalim të kufirit për shkak të skadimit të lejes me te cilën operon dhe e cila leje lëshohet nga Ministria e Transportit.
“Policia e Kosovës, ushtron kontrollin kufitare në të gjitha Pikate e Kalimit Kufitar. Gjatë ushtrimit të kontrollit kufitar, sigurohet se të gjithë personat, automjet dhe mjetet e transportit i plotësojnë kushtet për qarkullim, për hyrje dhe dalje, nga dhe në, territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, numri i rasteve, operacioneve policore dhe personave të arrestuar kur ka pas mw së shumti raste të kontrabandimit me migrant, të cilat janë hetuar nga Policia e Kosovës janë: vitet 2014 dhe 2015, ndërkaq në vitin 2016 ka pasur rënie.
Drejtues të kompanisë “Fjolla” që operon në linjën për Beograd nuk kanë dashur të komentojnë nëse janë ndaluar apo jo nga policia në kufi. “Pyeteni policinë për këtë”, kanë thënë ata.
Po ashtu ata nuk kanë dashur të komentojnë mungesën e lejes së operimit. “Nëse jeni gazetar duhet ta dini vetë gjendjen e shtetit të Kosovës! Sa për leje të operimit mund të drejtoheni në Ministri të Transportit”, kanë thënë drejtuesit e kompanisë.