Autobusët Podujevë – Prishtinë hyjnë në grevë

Autobusët Podujevë – Prishtinë hyjnë në grevë

Udhëtarët në relacionin Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas nga sot (e hënë) nuk mund të përdorin autobusët për ta bërë këtë rrugë.

Ata duhet të gjejnë alternativa të tjera për të bërë këtë udhëtim, pasi Shoqata e transportuesve në relacionin Podujevë-Prishtinë-Podujevë ka vendosur që të hyjë në grevë në afat të pacaktuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i kësaj Shoqate, Beqir Mustafa, nëpërmjet një shkrese drejtuar Stacionit Policor në “Kodër të Trimave”, kërkon nga Policia që të ndalojë transportuesit ilegalë, si kombibusët dhe veturat në mënyrë që të mos ketë nevojë ta fillojnë fare grevën. Në të kundërtën, siç thuhet aty, janë të obliguar t’i mbyllin kompanitë e tyre. Në këtë shkresë që e ka titulluar “Kërkesë për zbatim të ligjit”, kryetari Mustafa ka thënë se gjenden në një situatë të vështirë ekonomike para falimentimit.

“Ne transportuesit ndërurbanë të udhëtarëve në relacionin Podujevë-Prishtinë-Podujevë gjendemi para një situatë të vështirë ekonomike dhe se funksionimi i jonë ka ardhur para falimentimit”, thuhet në këtë shkresë të Shoqatës drejtuar Policisë.