Autobusët e rinj dhe ‘gjahu’ komunal ndaj taksive ilegalë

Insajderi

Insajderi Drenusha Canolli

02.03.2017 17:36
Autobusët e rinj dhe ‘gjahu’ komunal ndaj taksive ilegalë

Nëse je vonë për të zënë autobusin, asnjëherë nuk je vonë për të zënë taksim të cilët rrinë të parkuar nëpër stacione të ndryshme. Ata gjithashtu mund ti kapësh edhe në lëvizje. Ndalen edhe në vende që nuk janë stacione autobusësh.

Shenja e tyre janë katër gishta që tregojnë se itinerari i tyre është i autobusëve të linjës 4.

Nga lagjja ‘Bregu i Diellit’, në ‘Ulpianë’, pastaj tek qendra e qytetit e deri në parkun Gërmia. Ky është itinerari i taksive ilegal të linjës  4.

Por duket sikur puna e tyre pritet të pengohet nga vet Komuna e Prishtinës, që pas ardhjes së autobusëve të rinj, u ka shpallur “luftë” atyre.

Blerja e 51 autobusëve të rinj u përdorë për polemika mes Vetëvendosjes që mbanë pushtetin lokal në Prishtinë dhe Qeverisë, të cilën e udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vetëvendosje e fitoi qeverisjen e Prishtinës nga LDK-ja në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Por lëshimi për qarkullim i 30 autobusëve në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti, nuk u mirëprit nga taksistët ilegalë.

Një ditë më vonë, më 18 shkurt, u raportuar për thyerjen e një xhami të njërit prej autobusëve të rinj.

“Është thyer/dëmtuar një xham i një autobusi. Policia i është përgjigjur informatës dhe pas ekzaminimit të vendit të ngjajres rasti është hapur për asgjësim apo dëmtim i pasurisë publike”, kishte thënë zëdhënësja e policisë, Florie Ahmeti.

Thyerja e xhamit të autobusit kishte kaluar edhe në polemika politike.

Zyrtarët e Vetëvendosjes patën hedhur akuza në drejtim të kundërshtarëve politikë, se kanë gisht në thyerjen e xhamit.

Ndjekja e taksive ilegalë

Për të pasur sa më shumë sukses këta autobusë, Komuna e Prishtinës dhe Inspektorati Komunal u vunë në ndjekje të ilegalëve.

Kjo ka bërë që brenda dy javësh prej kur janë lëshuar në qarkullim autobusët e rinj, janë marrë masa ndaj 81 taksive ilegalë.

“Gjatë dy javëve të kaluara përgjatë aktiviteteve të sektorit të rendit Komunal brenda Drejtorisë së Inspekcionit, janë marrë masa ndaj 81 taksistëve ilegalë”, ka thënë Adonis Tahiri – zyrtar për media në Komunën e Prishtinës.

“Masat që parashihen sipas rregullores janë konfiskimi i përkohshëm i automjeteve si dhe procedimi i lëndëve në gjykatë”, ka shtuar Tahiri për Insajderin.

Ndërmarrja e masave ndaj taksive ilegalë ka rezultuar edhe me përmirësimin e të ardhurave në kompaninë e Trafikut Urban.

Vetëm brenda dy javësh sa janë lëshuar linjat e autobusëve 1 dhe 4, brenda ditës “Trafiku Urban” ka pasur të ardhura rreth 5 mijë euro në ditë.

“Përafërsisht 5 mijë euro dita, brenda 24 orëve. Kjo është vetëm mesatarja, çka mundem të them”, ka thënë Ramush Spahija, zyrtar për financa në Ndërmarrjen “Trafiku Urban”.

Ai ka thënë se ditëve të punës të ardhurat janë më të mëdha, kurse gjatë fundjavës, ato bien.

“Ditëve të punës të hyrat kuptohet janë më të mëdha, po dita e shtunë dhe e diele e ulë mesataren”, ka shtuar Spahija për Insajderin.

Për më tepër, autobusët e rinj në kryeqytet u lëshuan me 17 shkurtë, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe transporti ishte falas./Insajderi.com