Auschwitz, lufta për ta ruajtur tmerrin

Auschwitz, lufta për ta ruajtur tmerrin

Kur mbasditen e së shtunës, më 27 janar të vitit 1945 ushtarët e 60 të trupës së ushtrisë së Bashkimit Sovjetik çliruan Auschwitz-Birkenau, të ndërtuar nga Gjermania në Poloninë e pushtuar, trupat SS kishin hedhur në erë dhomat e gazit dhe kishin evakuuar kampin, por shpejt sovjetikët zbuluan se diçka e tmerrshme kishte ndodhur aty. Sipas të dhënave ushtarët rusë gjetën 600 kufoma, 7 000 të burgosur më shumë të vdekur se të gjallë, 837.000 rroba, shumë prej tyre për fëmijë, 44.000 palë këpucë dhe 7.7 tonelatë flokë të paketuara, llogariten të ishin të mijëra grave. Dy vite pas çlirimit në vitin 1947, kampi u shndrrua në një muze falë këmbënguljes së të mbijetuarve që e kishin si detyrim moral ruajtjen e tij.

Sot pas 72 vitesh Muzeu Shtetëror Auschwitz-Birkenau, kamp nazistësh përqendrimi dhe shfarosës (1940-1945), sipas Uneskos që e shpalli trashëgimi të njerëzimit në vitin 1979, po përballet me një projekt restaurimi që ka si qëllim të ruajë gjithçka saktësisht si ka qenë, ose si ka qenë atë të shtunë, kur ushtarët rusë zbuluan atë të keqe të pamundur për t’u konceptuar. Të gjitha vendimet për ta ruajtur janë morale, – shprehet Piotr M.A. Cywinski, drejtor i muzeut që nga viti 2006. –Ky vend është më shumë se një muze, është një plan unik në botë. Kjo do të na lejojë të planifikojmë një ruajtje për 20 vitet e ardhshme, jo vetëm të ndërtesave, por edhe të të gjithë objekteve. Restaurimi i kampit ka nevojë për finacime dhe për këtë u ngrit një fondacion Auschwitz, president i të cilit është sipërmarrësi Ronald S. Lauder. Ky fondacion ka mbledhur 112 milionë dollarë nga shtete të ndryshme, nga personalitete si Steven Spielberg dhe nga instuticionet.

Auschwitz nuk është si ndonjë muze i zakonshëm, në fakt nuk është as edhe një muze, është një varrezë e madhe, nga ku kaluan 1.3 milionë njerëz, 870.000 nga të cilët kaluan nga dhomat e gazit dhe është një skenar vrasjesh e pazbardhur ende. Për aq kohë sa ka të mbijetuar dhe dëshmitarë Auschwitz është një rast i hapur. Këshilli ndërkombëtar i Auschwitz mblidhet 2 herë në vit për të debatuar për ndërhyrjet. Edhe pse roli i tij është këshillues, ka peshën e vet, por fjala e fundit i mbetet autoriteteve të muzeut që varen nga shteti polak. Në total ruajtja përmbledh 45 kazerma me tulla, 22 kazerma me dru, 21 kulla roje të vogla dhe 6 të mëdha, 270 metra materiale arkivore, 39.000 negativë, 3.800 çanta, 470 proteza, 250 rroba fetare hebraike, 40 kilogramë syze, 12.000 instrumente kuzhine, 110.000 palë këpucë. Të ekspozuar pas një kristali në një sallë flokët si një provë e pamohueshme të asaj që ka ndodhur aty.

Meqë janë materiale organike prishen dhe kanë nevojë për një proces shumë kompleks për t’u ruajtur. Ka patur debate në lidhje me ruajtjen ose jo të flokëve. Përgjegjësit e muzeut mendonin që natyra të ndiqte rrugën e saj, por një i mbijetuar, historian dhe shef i Yad Vashem (Muzeu i Holokaustit në Jerusalém), Israel Gutman, tashmë ka ndërruar jetë, i cili e mbylli debatin duke u shprehur: “Flokët ekzistojnë, s’mund ta mohojmë. Le të jenë brezat e ardhshëm që të marrin vendimin se ç’do të bëjnë me ta.” Auschwitz ishte që nga fillimi një vend ndryshe edhe brenda sistemit nazist.

Fillimisht për shkak të sipërfaqes, u mendua për rreth 30 000 të burgosur, ndërkohë që kishte gjithsesj 20 000 në të gjithë Gjermaninë. Kampi i parë u ngrit në disa ndërtesa të vjetra të braktisura nga ushtria polake, jashtë qytetit të Oswiecim që gjemanët e pagëzuan me Auschwitz. Kur u ndërtua në 1940 nuk ishte destinuar për vrasjen e hebrenjve, qëllimi ishte asgjësimi i opozitarëve dhe intelektualëve polakë brenda projektit për ta fshirë nga harta këtë vend të pushtuar nga Gjermania në 1939. Në fakt viktimat e para të dhomave të gazit ishin polakët dhe të burgosurit sovjetikë të luftës. Auschwitz II-Birkenau u ndërtua 1 km larg, një vit më vonë, në1941, kishte një kapacitet më të madh, arriti deri në 90.000 të burgosur dhe ky bënte pjesë në planin e shfarosjes së hebrenjve të Europës. Kishte 4 dhoma gazi në punë dhe rreth 80% e të deportuarve vriteshin menjëherë pas seleksionimit të bërë nga SS-të. 20% të mbetur punonin deri në vdekje, nuk duronin më shumë se 3 muaj. Kishte edhe një kamp të tretë, Auschwitz III-Monowitz, i ndërtuar nga gjigandi kimik IG Farben.

Nga 35.000 të burgosur që punonin si skllevër 25.000 vdiqën. I gjithë rrjeti i nënkampeve, ku punonin skllevërit është ana më e panjohur e sistemit Auschwitz. Kampet e tjera shfarosëse të ngritura në të gjithë Poloninë ishin shumë të vegjël, qëllimi ishte vrasja industriale, çka e bën Holokaustin një krim të paprecedentë. Nga viktimat nuk kanë mbetur as kockat. Nga kampi Belzec, ku janë vrarë 500.000-600.000 persona ruhen vetëm dy dëshmi. Këto kampe u zhdukën nga nazistët, por s’mundën me Auschwitz-in. Objektivi ynë është t’u japim jetë objekteve që u përkasin viktimave – shprehet Beata Schulman, drejtoreshë e Komitetit të Fondacionit të Auschwitz.

Këpucët janë fotografuar para se të trajtohen në mënyrë që të ruhen ashtu si kanë qenë, po kështu edhe barrelat, furçat e dhëmbëve, çantat, secila prej tyre kërkon trajtim prej tri javësh dhe ruhen në një dollap special. Po kështu edhe kanaçet e ndryshkuar të Zyklon B, helmi që u përdor në dhomat e gazit. Edhe pemët shkulen dhe mbillen periodikisht me të njëjtën madhësi. Para dhe pas çdo gjë duhet të jetë ashtu si ka qenë. Disa pavijone të Auschwitz I, ndërtesa masive tullash ruhen akoma e sot ashtu si u braktisën. Janë krevatet, vizatimet e të burgosurve, papastërtia e tualeteve, një formë tjetër e torturës, pasi shumë nga të burgosurit vuanin nga dizanteria dhe mund ta përdornin banjon vetëm dy herë në ditë. E gjithë ndërhyrja këtu është bërë mbi bazën e kontekstit, pra shenjat e mureve të bëra nga krevatet kanë mbetur të tilla. Gjithashtu është ruajtur edhe papastërtia, shkruan bota.al.

Birkenau është ndërtuar me material që nuk ishin bërë për t’u zgjatur. U përjashtua ideja e ndërtimit të dhomave të gazit, por po punohet për të ruajtur gërmadhat e tyre që të mos gëlltiten nga toka. Kazermat e drurit janë shkatërruar, ato që kanë mbetur janë trajtuar. Duhet ruajtur origjinaliteti dhe memoria. Ky kamp nuk është vetëm material. Të gjitha genocidet fillojnë me fjalë. Puna e restaurimit është një homazh për viktimat, për atë fëmijë që iu bind urdhrit për të lidhur lidhëset e këpucëve duke menduar se do t’i merrte mbrapsht.