Auditori: Rreth 6 mijë euro në Trainkos nuk dihet a shkuan për udhëtime zyrtare

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se zyrtarë të Ndërmarrja Publike Hekurudhore Trainkos – Sh.A., nuk kanë arritur ta dëshmojnë se nëse janë shpenzuar rreth 6 mijë euro për udhëtime zyrtare.

Auditori ka thënë se, sipas Rregullores për Udhëtime Zyrtare (neni 4), të gjithë punëtorët janë të obliguar që të bëjnë kërkesë për udhëtim zyrtar të bashkangjitur, së bashku me ftesën zyrtare ndaj institucionit dhe agjendën e takimit zyrtar.

Auditori ka thënë se në disa raste shpenzimet për udhëtime zyrtare janë bërë në kundërshtim me rregulloren

Shkelje të tillë Auditori thotë se ka hasur në tri raste.

“Në tri raste në vlerë prej 5,783€, kërkesat për udhëtime zyrtare nuk ishin mbështetur me dëshmi përkatëse, si agjenda ose ftesa zyrtare”, thuhet në raport.

Marrë për bazë këtë, Auditori thotë se rreziku qëndron në atë se “shpenzimi i mjeteve për udhëtime zyrtare pa dëshmi përkatëse, rrezikon që këto mjete të mos jenë shfrytëzuar për qëllime zyrtare, duke krijuar shpenzime të parasë, pa bazë ligjore”.

Zyra e Kombëtare e Auditimit i rekomandon Kryesuesit të Bordit që të sigurojë se kërkesat për financimin e udhëtimeve zyrtare vlerësohen sipas rregulloreve në fuqi dhe të financohen vetëm kur plotësohen kriteret e duhura./Insajderi.com