Auditori gjen konflikt interesi në procesin e rishikimit të teksteve shkollore

09.03.2017 15:37
Auditori gjen konflikt interesi në procesin e rishikimit të teksteve shkollore

Inicimi i Ministrisë së Arsimit në vitin 2015 për rishikimin e teksteve shkollore, nuk ka nxjerrë rezultatet e duhura.

Bazuar në të gjeturat e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimi mbi “Procesin e Rishikimit të Teksteve Shkollore”, del se Këshilli i Ekspertëve i themeluar nga MAShT nuk është fokusuar në problemet përmbajtjesore të teksteve shkollore, por vetëm në ato teknike.

Këshilli i Ekspertëve punën e tij e kishte ndarë të tri faza: Përmirësimin e pasaktësive shkencore dhe gabimeve në tekstet shkollore; lehtësimin e çantës së shkollës; dhe kursimet buxhetore për botimin e teksteve shkollore.

MAShT-i nuk qartësoi detyrat e akterëve për rishikimin e teksteve

Në bazë të raportit të Auditimit del se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka vendosur njё sistem adekuat dhe tё dokumentuar mirё pёrmes njё udhёzimi apo rregulloreje tё brendshme ku do tё përcaktoheshin qartë detyrat dhe pёrgjegjёsitë e akterёve tё pёrfshirё nё procesin e rishikimit të teksteve shkollore.

Aty theksohet se ka pasur edhe mungesë koordinimi mes palëve të përfshira në proces.

Si rezultat i kësaj, raporti i Auditimit thotë se nuk u arrit që të evitoheshin mangësitë përmbajtjesore të teksteve shkollore, por vetëm ato teknike.

Auditori ka gjetur edhe konflikt interesi mes atyre që i kanë rishikuar tekstet.

“Përbërja dhe kualifikimet e anëtarëve për rishikimin e teksteve shkollore, veçanërisht për lëndët shkencore, nuk ishte plotësisht adekuate. Gjatë rishikimit kemi vërejtur konflikte të interesit, ku autori që ka shkruar tekstin shkollor edhe e ka rishikuar atë meqë ka qenë pjesë e anëtarëve të Këshillit”, thuhet në raport.

Auditori thotë se u shpenzua kot për ribotimin e librave

Procesi i rishikimit, me gjithë mangësitë sipërfaqësore të adresuara për përmbajtjen e teksteve shkollore, ka rezultuar me ribotimin e tërë tirazhit të teksteve shkollore, me gjithsej 94 tekste shkollore.

Sipas raportit, janë ribotuar tekste pa pasur nevojë dhe pa u proceduar në fazën finale të planifikimit.

“Gjatë auditimit ne kemi gjetur se kishte tekste shkollore ku ishin riformuluar vetëm disa fjalë apo kishte vetëm korrigjime drejtshkrimore. Ideja fillestare ishte që gabimet e tilla të adresohen vetëm nëpërmes transmetimit të tyre nga Këshilli tek mësimdhënësit dhe nga mësimdhënësit tek nxënësit dhe jo të ribotohet i tërë teksti. Kjo alternativë nuk është marrë në konsideratë duke rezultuar me botimin e të gjithë tirazhit të teksteve shkollore”, thuhet aty.

Auditori thotë se disa prej teksteve që kanë pasur pak ndryshime, kanë mundur edhe të mos botohen.

“Kjo nënkupton se edhe këtë vit sikurse edhe vitin e kaluar shpenzimet buxhetore kanë krijuar kosto financiare prej 7 milion €. Në këtë aspekt, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet faktit se tekstet shkollore që kanë pësuar ndryshime të pakta kanë mundur të mos ribotohen”, precizon raporti.

Menaxhimi më i mirë, sipas raportit, ka mundur t’i shkurtojë shpenzimet.

“Alternativa e planifikuar për transmetimin e informatës nga Këshilli tek mësimdhënësit dhe nga mësimdhënësit tek nxënësit do të mundësonte që të përdoreshin librat nga viti paraprak shkollor dhe kjo do të ndikonte në shkurtimin e shpenzimeve buxhetore për botimin e teksteve shkollore”, thuhet ndër tjera aty./Insajderi.com