“Aty nuk është prokurori” – PDK e quan seancën konstituive “hajt pak seancë”

14.08.2017 18:21
“Aty nuk është prokurori” – PDK e quan seancën konstituive “hajt pak seancë”

Mimoza Ahmetaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë sot se vazhdimi i sotëm i seancës konstituive ishte “hajt pak” seancë, ku “të gjithë thoshin diçka veç hajt dhe akuzonin sikur të ishin në prokurori.”

Madje Ahmetaj pati kritika edhe për deputetët që siç tha ajo akuzonin të tjerët derisa janë vetë të akuzuar për terrorizëm, duke iu referuar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.

“Sot u pa që edhe partitë tjera nuk e patën kuorumin, nuk është se edhe partitë tjera ishin prezente në Kuvend”, tha Ahmetaj për Klan Kosovën.

“Seanca e sotme ishte ‘Hajt pak’ seancë. Seancë në të cilën nuk do të duhej deputetët të deklaroheshin. Aty nuk është prokurori, prandaj nuk lejohen deklarata linçuese. Deklarimet ishin ekstreme, nuk u ka hije deputetëve, aq më pak deputetët që janë të akuzuar për terrorizëm”, ka thënë ajo.

Ahmetaj shtoi se “PAN do të marrë pjesë në takimin konsultativ që do të mbahet të mërkurën. Ne vazhdojmë të qëndrojmë pranë këtij vendimi”. /Insajderi.com