Ataturku përkujtohet në Tiranë, Prishtinë e Shkup

10.11.2017 15:03
Ataturku përkujtohet në Tiranë, Prishtinë e Shkup

Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë sot janë mbajtur ceremonitë përkujtimore me rastin e 79 vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e 79 vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Republikës së Turqisë Mustafa Kemal Atatürk, u organizua ceremoni përkujtimore nga Komuna Qendër-Zhupë që ndodhet në pjesën perëndimore të Maqedonisë dhe nga Shkolla fillore “Mustafa Kemal Ataturk”.

Kryetari i Komunës Qendër-Zhupë, Ariyan Ibrahim në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se me pjesëmarrjen e nxënësve dhe të mësimdhënësve të Shkollës fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, në këtë shkollë kanë organizuar një program përkujtimor me rastin e 10 nëntorit.

Ibrahim njoftoi se nxënësit pas programit të organizuar në shkollë, kanë realizuar një ceremoni duke vendosur lule në bustin e Ataturkut, i cili ndodhet përpara ndërtesës së komunës.

Gjithashtu edhe në Ambasadat e Turqisë në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë u mbajtën ceremonitë përkujtimore për 10 nëntorin, përvjetorin e ndarjes nga jeta të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Ceremonia në Ambasadën e Turqisë në Shkup

Në ceremoninë e organizuar në Ambasadën e Turqisë në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, morën pjesë ambasadorja e Turqisë në Shkup Tülin Erkal Kara, ministri pa portofol i Maqedonisë me origjinë turke Adnan Kahil, deputeti nga partia Lëvizja e Turqve në Maqedoni (THP) Enes İbrahim si dhe përfaqësuesit e institucioneve turke në vend.

Saktësisht në ora 9:05 pjesëmarrësit kanë mbajtur qëndrim nderi për themeluesin e Republikës së Turqisë dhe më pas u intonua Himni Kombëtar i Turqisë.

Gjatë fjalimit të saj me këtë rast, Ambasadorja e Turqisë në Shkup Kara tha se përkujtimi i Ataturkut në Maqedoni ka një rëndësi të veçantë, duke rikujtuar se Ataturku vitet e rinisë i ka kaluar në këto troje.

“Ne jemi rojet e pathyeshme të Republikës, të cilën Ataturku na e la amanet duke thënë se kjo është vepra më e madhe e imja. Me këtë qasje, ne e mposhtëm edhe tentativën për grusht shteti natën e 15 korrikut, e cila mori si objektiv Republikën dhe mbijetesën tonë”, tha Kara.

Ceremonia në Kosovë dhe Shqipëri

Në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Prishtinë të pranishëm ishin ministri i Administratës Publike i Republikës së Kosovës, Mahir Yağcılar, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Kosovës, Müfera Şinik, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka dhe përfaqësues të institucioneve turke në Kosovë si TIKA, Instituti Yunus Emre, nxënës, mësimdhënës dhe përfaqësues të ndryshëm të komunitetit turk të Kosovës.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım kılıç gjatë ceremonisë përkujtimore tha se Ataturku ishte simbol i paqes dhe stabilitetit dhe një lider, ushtar me vlera të larta njerëzore i respektuar nga gjithë bota.

“Jemi bashkë sot përsëri në një 10 nëntor për ta përkujtuar dhe potencuar përkushtimin, dashurinë, admirimin dhe respektin tonë në mbrojtjen e amanetit të lënë të liderit të luftës së pavarësisë, themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk në përvjetorin e 79 të ndarjes nga jeta”, tha Kılıç.

Gjatë ceremonisë Ambasadorja Kılıç ftoi të pranishmit që të marrin fjalën në shenjë të përkujtimit të themeluesit të Republikës së Turqisë, Ataturkut. Nxënëset e shkollës fillore “Elena Gjika” nga Prishtina, recituan një poezi ndërsa ceremonia përfundoi me një performancë me këngët e preferuara të Mustafa Kemal Ataturkut nga kori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë të muzikës turke dhe ballkanase.

Kurse në ceremoninë e organizuar në Ambasadën e Turqisë në Tiranë, ku punonjësit e saj dhe të institucioneve turke kanë mbajtur qëndrim nderi duke përkujtuar Ataturkun, të pranishëm kanë qenë Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës.

Në të gjithë Turqinë sot mbahen ceremoni të ndryshme përkujtimore me rastin e 79-vjetorit të ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturk.