“Ata kanë qenë 99% me doreza…” – prokurori i përgjigjet VV-së për sulmin në Kuvend

Faktet e paraqitura nga Vetëvendosje ditëve të fundit mbi rastin e përfshirjes së aktivistëve në rastin e sulmit të objektit të Kuvendit të Kosovës, sipas prokurorit të rastit nuk janë faktet mbi të cilat ai ka ngritur aktakuzën kundër tyre.

“Ata kanë qenë 99% me doreza…” – prokurori i përgjigjet VV-së për sulmin në Kuvend

Sekretari i organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka publikuar dy ditët e fundit një raport të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, duke e paraqitur atë si argument se aktivistët e partisë të arrestuar për sulmin në Kuvend, janë akuzuar padrejtësisht.

Fakti se në këtë raport, nuk janë gjetur gjurmët e gishtërinjve të katër aktivistëve ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë është i mjaftueshëm sipas Molliqajt që të kuptohet se shteti ka akuzuar pa të drejtë aktivistët e VV-së, njëri prej të cilëve kishte vdekur brenda qendrës së paraburgimit.

fakt1

Por këto fakte të paraqitura nga Molliqaj nuk kanë fare rëndësi për prokurorin e rastit, Abdurrahim Islami.

Sipas tij, fakti se gjurmët e ADN-së të të akuzuarve nuk janë gjetur në vendngjarje, nuk e zbehë aktakuzën e ngritur për “kryerjen e veprës terroriste” ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje: Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha.

“Ata kanë qenë 99% me doreza, dhe në mjetin që është shkrepur nuk është gjetur asgjë”, thotë prokurori Islami.

Prokurori Islami i ka thënë Insajderit, se aktakuza e ngritur ndaj aktivistëve të VV-së më 16 dhjetor të vitit të kaluar, ka baza dhe elemente të forta, të cilat nuk hidhen poshtë përkundër pamundësisë për të gjetur gjurmë të ADN-së së të akuzuarve.

Sipas tij, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Shtetit ndaj aktivistëve të VV-së, nuk mbështetet në gjurmët e ADN-së të mbështetura si provë.

“Gjurmët e ADN-së asnjëherë nuk i kam mbështetur si provë në aktakuzë. Aktakuza nuk është e mbështetur fare në rezultatet e ADN-së. Besoj se janë të mjaftueshme provat tjera”, ka thënë Islami.

fakt2

Prokurori Islami ka thënë se forenzika ka gjetur gjurmë të njerëzve të tjerë në mjetin me të cilin është sulmuar Kuvendi, por jo gjurmë të aktivistëve të akuzuar të VV-së. Ka thënë se kryerësit e aktit kanë përdorur doreza kur kanë gjuajtur Kuvendin.

“Nuk po përputhet ADN-ja, sepse nuk është gjetur ADN-ja e personave që janë të përfshirë. Mirëpo në atë mjetin me të cilin është gjuajtur [Kuvendi], nuk janë gjetur elemente që përputhen me këta persona. Gjurmët që janë gjetur aty, që kanë qenë disa cigare aty apo diçka tjetër, kanë qenë me dorëza”, ka thënë Islami për Insajderin.

Gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes ishin shpallur si të dyshuar nga Policia e Kosovës për sulmin me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në 4 gusht të 2016-s. Tre po mbaheshin në paraburgim, në mesin e të cilëve edhe Astrit Dehari që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor, në ditën e 68 të paraburgimit. Vdekja e tij mbetet ende e pasqaruar.

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, pesë muaj më vonë, ka prezantuar raportin e AKF-së që thotë se paraqet fakte të reja që dëshmojnë pafajësinë e aktivistëve që po akuzohen për terrorizëm.

“Ky dokument tregon që ADN-të e aktivistëve tanë, nuk përputhen me ato që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Ditëve në vijim do t’i prezantoj provat tjera”, ka shkruar Molliqaj në Facebook, derisa kishte bashkangjitur edhe foton e një pjese të Raportit të Forenzikës.

Molliqaj, mos gjetjen e gjurmëve të ADN-së së aktivistëve të VV-së nga forenzika, e ka cilësuar dëshmi se aktakuza ndaj tyre është një “montim politik”.

“Kjo dëshmon që bastisjet e aktivistëve dhe paraqitja bombastike mediale e pajisjeve të tyre gjoja si prova, kanë qenë montime politike për efekte mediale”, është shprehur Molliqaj.

Në anën tjetër Prokuroria ka ngritur në muajin dhjetor të vitit të kaluar aktakuzë për terrorizëm kundër Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit.

Petrit Ademi është liruar nga akuzat, për shkak të provave, ndërsa hetimet kanë pushuar edhe për të ndjerin Astrit Dehari./Insajderi.com