Astrit Patozi zyrtarisht përballë Bashës

Astrit Patozi zyrtarisht përballë Bashës

Astrit Patozi është zyrtarisht kandidat për kryetar të ri të Partisë Demokratike.

Megjithatë, ai tha se ky vendim i tij kushtëzohet në radhë të parë nga kërkesa për dorëheqjen e liderit demokrat Lulzim Basha.

Patozi tha në një deklaratë për mediat, se Basha duhet të largohet si përgjegjësi kryesor i humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit.

Po ashtu ai tha se Basha duhet të vendoset në garën për kryetar i barabartë me të gjithë kandidatët.

Patozi kërkoi largimin e Bashës nga selia e PD-së së bashku me stafin e tij, e po ashtu edhe të gjithë kandidatëve, derisa të përfundoi procesi për zgjedhjet brenda PD-së.

Ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, kërkoi gjithashtu që të shpallet nul vendimi i dy nënkryetarëve Edmond Spaho dhe Edi Paloka për t’i mbajtur zgjedhjet më 22 korrik.

Një kërkesë surprizë e tij ishte ajo për përjashtimin nga e drejta e votës të anëtarësisë që sipas Patozit janë bërë në kundërshtim me Statutin e PD-së. Dhe për këtë, kërkoi që Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, të fusë në “sitë” të gjithë data-bazën e anëtarësisë.