Asociacioni i Gazetarëve i shokuar me kërcënimin e kryeministrit

Asociacioni i Gazetarëve i shokuar me kërcënimin e kryeministrit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar nëpërmjet një komunikate për media, duke thënë thënë se është i tronditur me lajmin se kryeministri Isa Mustafa ka kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, pas publikimit të hulumtimit “Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani”.

“Gazetari Kajtazi ka bërë të ditur se posedon prova se telefonata kërcënuese ka ardhur nga numri i telefonit të kryeministrit Mustafa. AGK konsideron se ky rast është skandaloz, sidomos kur kërcënimi vjen nga një autoritet i lartë, i cili do të duhej të jetë garant i lirisë së shprehjes dhe ushtrimit të lirë të profesionit të gazetarisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nëpërmjet këtij reagimi ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të kërkojë falje publike dhe ta sqarojë pozicionin e tij lidhur me këtë çështje serioze.

“Kjo situatë shpërfaq gjendjen e rëndë dhe kushtet e pafavorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë. Ndërkaq, kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve në rritje kërkon vëmendje të posaçme nga organet e rendit për gazetarët”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje në këtë reagim, AGK  u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të kenë prioritet punën e gazetarëve dhe të marrin masa për krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët.

“AGK do ta njoftojë komunitetin e gazetarëve për veprimet dhe aktivitetet e mëtejme në raport me Kryeministrinë”, thuhet në fund të komunikatës.