Asnjë subjekt politik s’i publikon shpenzimet e fushatës së fundit

Asnjë subjekt politik s’i publikon shpenzimet e fushatës së fundit

Subjektet politike vazhdimisht janë kritikuar për shpenzime enorme në fushata elektorale.

Edhe në fushatën e fundit për zgjedhjet parlamentare të qershorit, partitë më të mëdha politike shpenzuan shuma të konsiderueshme parash.

Por, këto shpenzime dhe burimet se nga janë financuar, ende nuk janë bërë publike, raporton KTV.

Shoqëria civile thotë se është e domosdoshme që shpenzimet të jenë transparente. Kritikojnë partitë që nuk mbajtën zotimin e dhënë me rastin e nënshkrimit të deklaratës për rritjen e transparencës financiare, të nënshkruar nga ta më 29 maj 2017.

Thonë se nuk duhet të jetë arsyetim auditimi, pasi marrin shembull kur partitë politike, pas presionit ndërkombëtar, publikuan raportet e tyre të paaudituara.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se kanë shpenzuar rreth 304 mijë euro në fushatë, ndërsa thonë se brenda javës do të publikojnë raportin në ueb-faqen e partisë.

KTV-ja disa ditë radhazi ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga subjektet e tjera politike, por zyrtarë të tyre nuk u janë përgjigjur thirrjeve të televizionit.