Asnjë autobus nuk qarkullon në linjën Podujevë-Prishtinë, pronarët në grevë

Asnjë autobus nuk qarkullon në linjën Podujevë-Prishtinë, pronarët në grevë

Udhëtarë në relacionet Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas nuk do të mund të udhëtojnë me autobusë as ditën e sotme. Shoqata e Transportit të Autobusëve në Podujevë që nga dita e hënë është në grevë, për shkak të qarkullimit të taksive ilegale në këtë qytet.

Pa u larguar këto taksi, kryetari i kësaj Shoqate, Beqit Mustafa ka thënë se nuk do ta ndërprejnë grevën.

“Edhe sot jemi në grevë, kurse greva do të vazhdoj deri sa të largohet taksitë ilegale dhe nuk do të na pengojnë në punën tonë”  ka theksuar Mustafa për Indeksonline.

Zyrtari për Informim nga Komuna e Podujevës, Nazmi Elezi ka bërë të ditur se inspektorët e komunës janë vazhdimisht në terren dhe po ndërmarrin masa në parandalimin e qarkullimit të transportuesve ilegal.

“Inspektorët e komunikacionit të Komunës së Podujevës, vazhdimisht janë në teren dhe ndërmarrin masat adekuate ligjore ndaj transportuesve ilegalë (taksive), që operojnë në  territorin e komunës së Podujevës.” ka thënë Elezi për Indeksonline.

Ai ka shtuar se që nga dita e djeshme janë mbajtur dy takime në mes të inspektorëve komunal dhe transportuesve publikë, të cilët janë pajtuar që të vazhdohet me aksionin e përbashkët në parandalimin e punës së transportuesve- taksive ilegalë.

“Dje dhe sot, inspektorët komunalë dhe përfaqësuesit e shoqatës së transportuesve publikë që operojnë në relacionin Podujevë-Prishtinë kanë mbajtur dy takime, ku janë dakorduar që të vazhdohet me aksionin e përbashkët  të inspektorëve komunalë, atyre të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policisë së Kosovës, në parandalimin e punës së transportuesve- taksive ilegalë.

Në këto takime u kërkua që Policia e Kosovës të jetë më aktive në parandalimin e operimit të transportuesve ilegale.” ka shpjeguar Zyrtari për Informim i Komunës së Podujevës.

Sot, pritet që të mbahet një takim në Prishtinë në mes të inspektorëve të komunikacionit të Podujevës, inspektorët e Komunës së Prishtinës, inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policisë së Rajonit të Prishtinës, bashkë me përfaqësuesit e Shoqatës së Transportuesve.

Ndryshe, problemi i taksive ilegale në relacionin Podujevë-Prishtinë është i kahershëm kurse policia shumë shpesh ka marrë aksione për parandalimin e qarkullimit të tyre.