Ashpërsohet gjendja në konfliktin me Korenë e Veriut

Ashpërsohet gjendja në konfliktin me Korenë e Veriut

Pas testit të një rakete me rreze të mesme, KS i OKB e dënoi ashpër Korenë e Veriut. Autoritetet amerikane thonë se janë të hapura të gjitha mundësitë, ndërsa Koreja shprehet shumë e kënaqur.

Pas një seance të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se tri orë në Nju-Jork, të gjithë 15 anëtarët e KS të OKB kërkuan nga Koreja e Veriut që të heqë dorë nga testet e raketave dhe t’i respektojë rezolutat e KS të OKB për programin e saj bërthamor. “Këshilli i Sigurimit thekson se sjellja e Koresë së Veriut rrezikon jo vetëm rajonin por edhe të gjithë vendet anëtare të OKB”, thuhet në një dokument të përgatitur nga SHBA.

KS është “shumë i shqetësuar” me testet koreanoveriore të raketave mbi Japoninë. Në kumtesë thuhet se Koreja e Veriut “po cënon shumë paqen dhe stabilitetin rajonal”. Në kumtesë nuk përmenden sanksione të reja, por kërkohet respekimi dhe zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme.

Megjithë sanksionet dhe kërkesat ndërkombëtare, Koreja e Veriut bëri të martën një test tjetër me raketa. Pushtetmbajtësi Kim Jong Un tha se është “kryer edhe një test i suksesshëm” i një rakete me rreze të mesme, të tipit Hwasong-12 dhe se ai “është shumë i kënaqur”, shkruan DW.

Hapi i parë”

Sipas të dhënave të agjencisë koreanoveriore KCNA, Kim tha se testi ishte përgjigje ndaj manovrave ushtarake amerikano-koreanojugore. Testi i kryer në kushtet e një “lufte të simuluar” është vetëm hapi i parë i armatës së Koresë së Veriut, kundër pozicionet të kundërshtarëve në Guam. SHBA ka stacionuar atje një kontigjent të madh marinsash dhe armësh ajrore.

Diplomatët kishin kërkuar para takimit të KS masa më të ashpra kundër Koresë. “Por është vendosur që së pari të dënohet testi e më pas të bëhen konsultime për sanksionet shtesë”, tha ambasadori britanik Matthew Rycroft.

“Të gjitha mundësitë”

Nuk ishte kjo hera e parë që raketat koreanoveriore fluturojnë mbi Japoni. Por ishte hera e parë që një test bëhet pa paralajmërim. Një zëdhënës japonez foli në Tokio për një kërcënim shumë serioz dhe të pashembullt.

Presidenti ameriakn Donald Trump e dënoi këtë test dhe theksoi: “Të gjitha opsionet janë në tryezë”. Ministria e Jashtme e Kinës paralajmëroi se konflikti ka arritur në një “pikë kritike”.(DW)