AShMDP flet për kamerat që incizojnë brenda autobusëve të ‘Trafikut Urban’

AShMDP flet për kamerat që incizojnë brenda autobusëve të ‘Trafikut Urban’

Pasi çështja e kamerave nëpër autobusët e trafikut urban u bë punë e madhe, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe zyrtarë të kompanisë ‘Trafiku Urban’, janë takuar për t’ua bërë të ditur obligimet ligjore.

“Kamerat e instaluara nëpër autobusët e Trafikut Urban nuk duhet të përbëjnë shqetësim për udhëtarët. Në takimin e sotëm, përfaqësuesve të Agjencisë iu dhanë zotime nga ‘Trafiku Urban’ dhe Komuna e Prishtinës që për pak ditë do të përmbushen të gjitha kriteret ligjore që kamerat e instaluara nëpër autobusët e Prishtinës të mos shkelin privatësinë e udhëtarëve”, thuhet në komunikatë.

“Pasi u njoftuan me hollësi rreth sistemit të vëzhgimit me kamera, fabrikisht të instaluar brenda autobusëve të Prishtinës që sapo janë lëshuar në qarkullim, përfaqësuesit e Agjencisë ia shpalosën atyre kriteret e kërkuara sipas ligjit dhe kërkuan që ato të përmbushen në afat sa më të shkurtër, në mënyrë që udhëtarët që shfrytëzojnë transportin publik të ofruar nga ‘Trafiku Urban’ të kenë të garantuara të drejtat e tyre në privatësi’, thuhet më tej aty.

Kryeshefi i ‘Trafikut Urban’ u arsyetua se autobusët, deri sot, nuk e kanë pasur të ngjitur shenjën paralajmëruese për kamera, pasi që nuk kanë qenë të informuar se diçka e këtillë kërkohet sipas ligjit.

Ai u zotua që për pak ditë do të ngjiten shenjat paralajmëruese për vëzhgim me kamera në çdo derë të secilit prej autobusëve të rinj, do të merret një vendim, përmes të cilit do të bëhet publik qëllimi, mënyra dhe koha e ruajtjes së të dhënave të regjistruara.

“Veç kësaj, ai i siguroi përfaqësuesit e Agjencisë që secila nga gjashtë kamerat e instaluara brenda çdo autobusi kapë pamje vetëm brenda hapësirës së autobusit dhe nuk përbën kurrfarë cenimi të privatësisë së kalimtarëve jashtë tyre apo pronave private e publike gjatë rrugëtimit në relacionet e përditshme brenda qytetit”.

“Sidoqoftë, për pak ditë, në çdo hyrje të këtyre autobusëve do të ketë të ngjitur shenja paralajmëruese të kamerave, gjersa qasja në të dhënat e regjistruara të udhëtarëve do të jetë shumë e kufizuar”, përfundon komunikata.