Skandali i dy kompanive të mëdha: Asgjësohet 1.1 ton mish i prishur në Mitrovicë

Skandali i dy kompanive të mëdha: Asgjësohet 1.1 ton mish i prishur në Mitrovicë

Qentë endacakë që sorollaten në deponinë e mbeturinave në Koshtovë të Mitrovicës, para disa ditësh kanë pasur ushqim me bollëk. Kjo pasi aty është hedhur pas konfiskimit mbi 1.1 ton mish që ishte destinuar të shërbehej në sofrat e qytetarëve kosovarë.

Gazeta Metro ka siguruar dhjetëra fotografi e dokumente zyrtare të Komunës së Mitrovicës, të cilët në dy aksione të ndara kanë gjetur dhe sekuestruar mish të prishur nëpër frigoriferë e ambiente të dy marketeve më të mëdha në këtë qytet.

Në fotografitë e siguruara nga Metro shihen punëtorët e kompanive përkatëse teksa hedhin mishin e prishur në kamionë të pastrimit, por edhe në deponinë e mbeturinave në Koshtovë.

Në dokumentet dhe procesverbalet e rastit, tregohet saktësisht sasia e kapur në dy lokacione të ndara në një periudhë kohore prej një jave.

Në frigoriferët e njërit market janë kapur 573.4 kg mbetje të mishit dhe mish i ngrirë, ndërkaq në ambientet e tjetrit javë gjetur 550 kg ‘mish i freskët’ por i prishur. Që të gjithë është konfiskuar dhe asgjësuar.

Në dokumente sqarohet se edhe palët kanë pranuar ‘fajin’, duke kryer edhe proceduar e asgjësimit, që përfshinin transportimin dhe hedhjen në deponinë e mbeturinave.

Zyrtarët komunalë i kanë konfirmuar aksionet, duke thënë se këto janë bërë për ‘të ruajtur shëndetin e qytetarëve’.

Ndërkohë Metro ka kontaktuar edhe me dy kompanitë që iu gjet mishi i prishur, por të cilat kanë dhënë argumente rrethanore dhe nuk janë deklaruar konkretisht për rastet në fjalë, ndonëse në procesverbale ata kanë dhënë firmën e tyre.

Metro në një periudhë kohore prej gjysmë ore do të publikojë edhe dy tekste me dokumente dhe detaje të tjera, duke sqaruar edhe për cilat markete bëhet fjalë.

Ndryshe, shqetësimi për përdorimin e mishit nga kosovarët është aktualizuar së fundmi. Para pak ditësh u zbulua skandali me mish të prishur e të vjetër 12 vjet e që vinte nga Belgjika, për të cilët u vërtetua se ishte destinuar për kafshë, e që nuk përjashtohet mundësia që do t’u servohej njerëzve.