Asensio shpëton Realin e pafat nga humbja

Asensio shpëton Realin e pafat nga humbja

Real Madrid nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2:2 ndaj Valencias në “Bernabeu”. Të besuarit e Zinedine Zidane bënë gjithçka për të fituar ndeshjen por fati këtë herë nuk ishte me ta teksa miqtë shfrytëzuan më së miri rastet që iu krijuan.

Real  e nisi mirë ndeshjen duke gjetur golin që pas 10’ minutave me një super gol të Asensio, ylli i kryeqytetasve për momentin. Spanjolli i talentuar lëshon një të majtë të hidhur në hyrje të zonës duke shtangur portierin kundërshtar.

Real Madrid – Valencia Live Score

Dukej sikur çdo gjë do të shkonte “vaj” për Los Blancos por nuk ndodhi kështu. Carlos Soler barazon vetëm tetë minuta më pas dhe rivendos ekuilibrin. Më pas vijnë rastet e njëpasnjëshme të Real Madrid me Gareth Bale, Marcelo dhe Benzema, por fati nuk ishte me vendasit.

Pas pushimit është e njëjta histori, Real vazhdon të shpërdorojë duke bërë që Valencia të shpresojë te pika në “Bernabeu”.

Rastet janë të vazhdueshme por fati nuk është me Realin, ndërsa me Valencian po. Kondogbia, i cili vetëm disa ditë më parë është larguar nga Inter, arrin të gjejë golin e avantazhit në minutën e 77’ pas një pasimi të Rodrigos brenda zonës.

Francezi e fillon në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në Spanjë. Por Real hidhet në sulm, diçka që në fakt kishte gjithë ndeshjen që e bënte, por këtë herë të dëshpëruar për të shpëtuar nga humbja e pamerituar.

Dhe në minutën e 83’ është sërish Asensio ai që shënon, këtë herë golin e barazimit nga një goditje standarde.

Në minutat e fundit nuk mungojnë rastet për Real të përmbyste rezultatin me Benzema që është i pafat teksa ndalet nga shtylla në minutat shtesë.