Asambleisti serb që sfidon Komunën e Gjilanit

Asambleisti serb që sfidon Komunën e Gjilanit

Srdjan Mitroviq, asambleist serb në Kuvendin Komunal të Gjilanit,  është përjashtuar për herë të tretë nga seanca me kërkesë të asamblistëve të partive të përfaqësuara në kuvend.  Arsyeja prapa këtij vendimi lidhet me pretendimin e asamblistit se në me pozitën që mbanë përfaqëson “bashkësinë serbe” të Gjilanit në këtë kuvend.

Mitroviq në fund të vitit 2015 ishte zgjedhur si drejtues i strukturave paralele serbe në Gjilan, një lloj komunë paralele që ndodhet në fshatin Kufcë.

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të mbajtur të premten, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi,  kërkoi nga asambleisit serb të deklarohet  se interesat e kujt ai i përfaqëson, ndërsa ai vetëm sa ripërsëriti qëndrimin e bërë publik kohë më parë.

“Ata më kanë dhënë të drejtën të flasë për ta,” ka thënë ai, duke iu referuar strukturave paralele.

Deklarata e tij nxiti reagimin e partive shqiptare në kuvend, asambleistët  e të cilëve miratuan përjashtimin e tij me arsyetimin se nuk duhet lejuar instalimin e interesave të Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, përjashtimi i tij është i përkohshëm. Atij i është kërkuar që në seancën e radhës të sjellë një deklaratë përmes së cilës sqaron se interesat e kujt mbron në kuvend.

Ai është përjashtuar nga seanca dhe në shkurt e mars të këtij viti.