Artistja Fitore Berisha Alisdottir kërkon përgjegjësi për mbulimin e muralit

Artistja Fitore Berisha Alisdottir kërkon përgjegjësi për mbulimin e muralit

Artistja Fitore Berisha Alisdottir ka reaguar lidhur me mbulimin e muralit te objekti i njohur si Shtëpia e Sportit nga një reklamë e kompanisë Coca Cola.

Në një deklaratë për gazetën Insajderi, ajo ka kërkuar përgjegjësi për këtë akt vandal. “Nuk di pse lejohen prej Departamentit për hapësirë publike të shkatërrohen veprat e artit public, për të përfituar me reklama të shëmtuara. Patjetër duhet të jetë  dikush përgjegjës për këtë”, ka thënë artistja, e cila ka realizuar kohë më parë muralin.

Berisha Alisdottir e cila njihet për performancat e ndryshme artistike, është shprehur e zhgënjyer me mënyrën se sip o trajtohet arti në vendin tonë.

“Çfarë shoqërie jemi ne kur kemi aq shumë artistë të mirë, ku disa prej tyre kanë arritur të bëjnë emër nëpër metropole për punën e tyre, përderisa në vendin ku kemi lindur dhe me gjoks jemi duke u munduar të bëjmë pak ndryshim, krejt çka krijohet po ashtu shumë shpejt edhe shkatërrohet se s’ka kush e vlerëson apo e mbron artin public”, ka thënë artistja për gazetën Insajderi, duke shtuar se çfarë modeli po iu ofrojmë gjeneratave të reja që vijnë.