Artisti që ia pa hairin ndotjes së ajrit në Prishtinë

22.11.2017 21:17
Artisti që ia pa hairin ndotjes së ajrit në Prishtinë

Shumica e banorëve të Prishtinës, vitin e kaluar po vuanin pasojat e ndotjes së ajrit që arritën shkallën më të lartë të viteve të fundit të ndotjes së ajrit. Madje në disa ditë Prishtina ishte bërë qyteti më i ndotur në botë.

Rron Qena po vuante pasojat e kësaj ndotje. Në një mëngjes të muajit nëntor të vitit të kaluar, artisti Qena, një nga më të njohurit në gjeneratën e “klasikëve të pikturës”, kishte hapur dritarën dhe pamja ishte tmerruese.

Hiri nga ndotësit e shumtë në kryeqytet i përzier me mjegullën ia kishin ndaluar pamjen e lagjes së tij. Qyteti tashmë ishte zhdukur mes kësaj ndotje dhe krejt çka shihej ishte një qytet i ndotur.

Por përderisa shumica e banorëve ende vuajnë pasojat e këtij ajri të ndotur, Rroni si artist ia ka pa hairin aritsikisht.

“Në një moment jam ndjerë i zhgënjyer prej Prishtinës dhe kam menduar se nuk mund të krijojë diçka më shumë këtu. Mandej mendova se nuk mund të ndihem i zhgënjyer sepse ky është vendi ku unë po jetoj. E hapa dritaren dhe gjithçka çka pashë ishte mjegull, mandej edhe provova ta pikturoj Prishtinën në mjegull. Ajo mjegull mua më ndihmoi në venitjen e stilit tim të pikturës por edhe ta tregoj qytetin tonë pak si më të zbehur, i cili edhe pse po ndërtohet mjaft duket gjithnjë e më i zbehur”, ka thënë Qena për Kultplus.

Kësisoj Rroni kishte nisur krijimin e një serie të pikturave të cilat e kanë shpërfaqur këtë ndjesi të tij në raport me qytetin e tij. E këto piktura tashmë janë ekspozuar në “Galeri Monet” dhe kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri me 4 dhjetor.

Për vet artistin, kjo ekspozitë ka një rëndësi specifike sepse përmes pikturave të tij shpërfaqë një qytet as përpos ajrit të ndotur është mbuluar tërësisht nga ndërtimet, të cilat sipas piktorit po e zhdukin këtë qytet.

“Gurthemeli i kësaj ekspozite është qyteti i humbur i Prishtinës sepse me të gjitha këto mbindërtime jemi duke e zhdukur qytetin. Këtu më nuk ka hapësirë, madje edhe ecja në këtë qytet është gjithnjë më e vështirë. Pikërisht këtu është dhimbja të cilën unë e kam reflektuar”,  ka shkruar Qena.

E profesori Mehmet Behluli i cili foli në hapje të ekspozitës, tha se Rroni ka argumentuar në mënyrën më të mirë një debat të moçëm mes tyre.

“Rron Qena i përket një gjenerate të artë të artistëve të Kosovës. Së bashku me gjeneratën e Rronit kemi provuar të debatojmë dhe të analizojmë sepse arti nuk ka kuptim nëse jepet si i përkryer. Me Rronin kemi pasur debatet më të ashpra sepse në atë kohë mendonim se piktura si medium shumë klasik nuk ofron aq mundësi sa mediumet e tjera por Rroni me kokëfortësinë e tij ka vazhduar deri më sot dhe besoj që do të vazhdojë edhe më tutje” tha Behluli./Insajderi.com