Arsyeja pse jam kundër vendimit për dërgimin e veteranëve në deti

Të uritur për të vjedhur e mashtruar ende: Ky është shpjegimi se cila ishte arsyeja që Organizata e Veteranëve të UÇK-së i nisi kërkesën e famshme Qeverisë. Por, ka një mënyrë për të shpëtuar 300 mijë eurot e ndara për dërgimin në deti të veteranëve.

 Arsyeja pse jam kundër vendimit për dërgimin e veteranëve në deti

Një shumë prej 300 mijë eurosh është bërë gati që të abuzohet nga veteranët mashtrues. I është ndarë nga Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Është ndarë me arsyetimin se 1 mijë e 500 veteranë të UÇK-së kanë nevojë për të shkuar në deti. Do të ishte në rregull, nëse në qytetarët me taksat tona do të kishim paguar pushimet e atyre që kontribuuan për çlirimin e vendit. Por, jo. Në do të paguajmë për t’u flladitur disa mashtrues ordinerë. Disa mashtrues të paskrupullt që vendosin në emër të veteranëve.

Ky fond do të menaxhohet nga një organizatë që nuk ka imazh të mirë.

Organizata e Veteranëve të UÇK-së drejtohet nga Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Gucati po shquhet si një kryetar i papergjegjshëm. Ndërsa Nasim Haradinaj është një dërdëllitës i shpeshte nëpër studio televizive. Një i dyshuar për keqpërdorime, i padijshëm, i pandershëm dhe i paskrupullt.

Ky fakt është i mjaftueshëm për të mos qenë i sigurt që fondi do të menaxhohet mirë.

Në vend të 1 mijë e 500 veteranëve real, nga ky fond do të përfitojnë ata që nuk e kanë prekur pushkën me dorë gjatë luftës. Do të mbushet me veteranë mashtrues.

Për këta që i ndajnë këto fonde nuk kanë kurrfarë vlerë veteranët real. Nuk do të shkojnë në deti ata veteranë që për këto 18 vjet kanë pasur vështirësi për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre. Shumë prej veteranëve real të UÇK-së, në pamundësi për të mbajtur familjet e tyre. Janë dorëzuar. Kanë bërë vetëvrasje. Askush nga kryesia e organizatës e as nga politika nuk është mërzitur për ta.

Dhe nuk mërziten as për këta që janë në prag të vetëvrasjes, të lodhur e të dëshpëruar nga varfëria në vendin të cilin e çliruan para 18 vitesh.

Për tërë këto vjet janë shpërfillur e do të shpërfillen veteranët real, edhe kur shefat e OVL UÇK-së do ulen për të hartuar listën e atyre që i plotësojnë kushtet për të shkuar në deti. Veteranët real nuk do t’i plotësojnë kushtet.

Edhe ky fond prej 300 mijë eurosh do të keqpërdoret, ashtu siç është duke u vepruar me fondet milionëshe shtetërore, të dedikuara për pensionet e veteranëve.

Mbi 30 mijë veta marrin pensione në kundërshtim me ligjin. Janë regjistruar si veteranë, pa qenë fare pjesëmarrës në luftë. Për këtë arsye, vendimi i Haradinajt për të ndarë para për pushimet verore të veteranëve është i ngutshëm. Mashtrimi masiv me lista të veteranëve është dashur që ta bëjë Haradinajn të reflektojë. Është dashur të pres derisa një pjesë e madhe të burgosen. Është e çuditshme se si Haradinaj ende pa u pastruar listat e veteranëve arsyeton ndarjen e mjeteve për t’i dërguar ata në deti.

Kjo është skandaloze. Kryeministri po shtyn përpara edhe një keqpërdorim financiar. Po tallet sërish me taksat që paguajmë ne qytetarët. Ai e ka për obligim që të sigurojë shpenzimin e drejtë të taksave tona. Pasi që, këto mjete tashmë janë ndarë duhen bërë përpjekje për të mos lejuar keqpërdorimin.

Qeveria duhet ta obligojë shoqatën e veteranëve të UÇK-së që të bëjë publike listën e atyre që do të selektohen për të kaluar pushimet verore, me taksa të qytetarëve. Ne, mediat, dhe shoqëria civile duhet t’i bëjmë presion të vazhdueshëm Qeverisë dhe kësaj organizate. Duhet që të lexojmë emrat e atyre që selektohen. Nëse futen në listë mashtruesit, atëherë duhet që OVL-UÇK të obligohet për ta hequr nga lista. Kjo listë duhet të lexohet edhe nga Prokuroria e Shtetit.

Futja e mashtruesve në këtë listë është vepër penale dhe keqpërdoruesit duhet të dërgohen në burg. Nuk mund të mjaftohemi me deklaratën qesharake të kryetarit të veteranëve, Hysni Gucatit, i cili tha se do të përzgjidhet bregdeti i Shqipërisë për pushimet e veteranëve. Përpiqej të tingëllonte patriotik duke thënë se “është e padiskutueshme që veteranët do të shkojnë në bregdetin shqiptar”.

E pritshme që këta bëjnë përpjekje të tilla. Në njërën anë shfaqen patriotë, ndërsa tinëz fusin mashtrues në listën e atyre që do të dërgohen për deti. Dëshirojnë të jenë edhe mashtrues, edhe patriotë.