Arsimi në Kosovë në krizë të thellë

Arsimi në Kosovë në krizë të thellë

Sektorët më vitalë, siç janë ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, janë sektorët që janë lënë anash në Kosovë.

Kështu tha sot drejtori i KFOS-it, Luan Shllaku, në tryezën “Çështjet që e frenojnë zhvillimin në Kosovë”, organizuar nga Forumi 2015.

Sipas Shllakut qëllimi i këtij forumi është t’i ndihmojë politikanët me analizat që janë bërë.

“Besoj se këto analiza do t’i prijnë agjendën qeveritare për t’i kthyer këta sektorë aty ku e kanë vendin”, tha Shllaku.

Për analisten e politikave arsimore, Besa Shahini, nuk ka asnjë dilemë që arsimi në Kosovë është në një krizë të thellë.

“Është kriza më ë madhe prej së është themeluar arsimi. Nëse sistemi i arsimit nuk i aftëson nxënësit për ta kuptuar tekstin e shkruar kemi problem në përgatitjet e fëmijëve. Është një krizë e thellë e arsimit para universitar. Edhe nxënësit e varfër dhe ata të pasur të gjithë kanë dal keq në testin PISA. Sistemi po i dështon të gjithë. 10 vitet e fundit është trefishuar numri i studentëve ndërsa janë marrë një numër i mësimdhënësve pa përvojë. Kemi inflacion diplomash por jo cilësi”, tha Shahini.

Sipas saj arsyeja pse kanë mbërri në këtë pikë janë tre faktorë, faktori historik, planifikimi i dobët dhe buxheti i ulët.