Arrinë në 10 numri i ushtarëve të vrarë nga sulmi në Turqi

Arrinë në 10 numri i ushtarëve të vrarë nga sulmi në Turqi

Nga eksplodimi që e ka goditur një autobus ushtarak në pjesën juglindore të Turqisë, janë vrarë së paku 10 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe janë plagosur tetë të tjerë.

Shpërthimi i mbrëmshëm ka ndodhur në një rrugë të ngarkuar me trafik ndërmjet qyteteve Derik dhe Kiziltepe, në rajonin turk, të banuar me popullatë shumicë kurde.

Askush nuk e ka marrë pëgjegjësinë për këtë sulm, por autoritetet e Turqisë, e fajësojnë Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK), e cila në të kaluarën e ka marrë përgjegjësinë për sulme të tilla të ngjashme në rajon.

Armiqësitë ndërmjet PKK-së dhe forcave të sigurisë së Turqisë kanë shënuar përshkallëzim vitin e kaluar, pas shkatërrrimit të procesit paqësor.

Prej atëherë, janë vrarë më tepër se 600 pjesëtarë të forcave të sigurisë turke dhe mijëra militantë të PKK-së.

Prej vitit 1984, kur PKK-ja e ka filluar kryengritjen e armatosur për autonomi të 15 milionë kurdëve në Turqi, janë vrarë më se 40 mijë njerëz.