Arrin në pesë numri i të vdekurve nga sulmi në Londër

Arrin në pesë numri i të vdekurve nga sulmi në Londër

Pesë persona kanë vdekur dhe së paku 40 janë plagosur nga sulmi i së mërkurës në qytezën Uestministër të Londrës.

Sulmuesi goditi njerëzit me makinë, theri për vdekje një polic pranë Parlamentit britanik dhe më pas u vra nga policia.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se sulmi “i neveritshëm” goditi mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës.

“Terroristët zgjodhën të sulmojnë zemrën e kryeqytetit tonë, ku njerëz të të gjitha nacionaliteteve, feve dhe kulturave mblidhen për të gëzuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës”, tha May.

May, pas një takimi urgjent me ekipin e sigurisë, tha se qeveria nuk do të rrisë nivelin e kërcënimit nga terrorizmi. Aktualisht, është i dyti më i larti, që do të thotë se “ka shumë gjasa të ndodhë një sulm”.

Sulmuesi nuk është identifikuar nga policia.

Kreu i Komandës Anti-Terrorizëm, Mark Rowley, tha se policia beson se e di kush është sulmuesi dhe se ai është frymëzuar nga terrorizmi që lidhet me islamizmin.

“Ne e konsiderojmë këtë si incident terrorist dhe Komanda Anti-Terrorizëm është duke kryer hetimet në shkallë të plotë”, tha Rowley.