Qeveria në SHBA ka ngritur aktakuzë ndaj 29 vjeçares nga Rusia, për spiunazh, e cila kishte kryer aktivitetin e saj në rolin e agjentes së qeverisë ruse me qëllim të infiltrimit në grupe politike.
Maria Butina kishte zhvilluar lidhje të afërta me partinë Republikane dhe kishte avokuar për të drejtat për armë.
Departamenti i Drejtësisë ka thënë se Butina, e cila jeton në Uashington, ka vepruar si agjente brenda Amerikës, “duke krijuar raporte me persona amerikanë, dhe duke depërtuar në organizata me ndikim në politikën amerikane, me qëllim avancimin e interesave të Federatës Ruse”.
Ajo i ka kryer këto aktivitete, pa e njoftuar qeverinë amerikane se po punonte për Rusinë, gjë që kërkohet me ligj.
Aktakuzat ndaj saj nuk lidhen me hetimin e Mueller për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës.
Arrestimi i Butina erdhi disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe tha se Rusia s’ka pasur arsye të ndërhynte në zgjedhjet amerikane.