Arrestohet pronari i kompanisë së mishit që kërcënoi me vrasje ekipin e Insajderit

Arrestohet pronari i kompanisë së mishit që kërcënoi me vrasje ekipin e Insajderit

Pronari i Kompanisë “Euro Ida”, Anton Jupa është arrestuar para pak çastesh nga Policia e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur për Insajderi, kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.

Ai tha se Jupa, është arrestuar afër kompanisë së tij në Rahovec.

“Po, është e vërtetë që është arrestuar. Ai disa ditë nuk ka qenë fare në Kosovë, dhe në momentin  kur e morën lajmin se ai gjendet në Kosovë, ne dërguam ekipet policore, të cilat kanë arritur që ta kapin afër objektit të kompanisë së tij në Rahovec”, ka thënë Shala.

Ai bëri të ditur se Jupa është duke u intervistuar në këto çaste nga Policia e Kosovës, dhe më vonë do të merret vendimi lidhur me procedurat e mëtejme.

“Tash për tash, është duke u intervistuar nga ana e Policisë, dhe më vonë do të marrim vendim se çka do të bëhet”, ka thënë Shala për Insajderin.

Anton Jupa, pronar i Kompanisë “Euro Ida”, kompani nga Rahoveci dhe kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba”, në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika

Mishi që kompania e tij, e kishte importuar nga kompania belge “Veviba”, kishte qenë i pa afat.

Pas shpërthimit të skandalit në Belgjikë, Insajderi ka arritur që të sigurojë dokumente nga dogana e Kosovës, ku vërtetohet se kompania e udhëhequr nga Anton Jupa, në vitin 2016, kishte importuar mish të helmuar nga Belgjike.

Pas publikimit të atij dokumenti, Jupa thërret në redaksinë e Insajderit, duke kërcënuar me vdekje.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, ka thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës./Insajderi.com

 

Biznesmeni kosovar që importoi mish nga kompania e dyshimtë belge, kërcënon ekipin e Insajderit