Arrestohet një toger dhe një qytetar

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot dy të dyshuar duke realizuar edhe një plan operativ lidhur me këtë rast në konsultim me prokurorinë kompetente, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Policia thotë se është arrestuar një toger për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare

“IPK kishte pranuar informacione në lidhje me dyshimet për përfshirje në veprimtari penale të të dyshuarit zyrtar policor (me gradën e togerit i cili ka pasur pozitën e Komandantit të Stacionit Policor në Novobërdë)”, thuhet në komunikatë.

Me autorizim të prokurorit, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimin ndaj këtij zyrtari me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe Ushtrim ndikimi të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë hetimit të këtij rasti hetuesit e IPK-së kanë grumbulluar dëshmi të cilat vërtetuan informacionet e pranuara, dhe se në këtë rast janë implikuar edhe dy qytetarë të tjerë.

Më tutje PK thotë se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm hetuesit e IPK-së kanë realizuar një plan operativ në rajonin e Gjilanit në kuadër të së cilit është zbatuar edhe urdhëresa e lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe janë bastisur tri lokacione si dhe janë konfiskuar disa prova materiale që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme.

“Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (togerin policor dhe një qytetar) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e komandantit të këtij stacioni policor”, thuhet në komunikatë.