Arrestohet një serb në Suharekë, dyshohet për krime lufte

Arrestohet një serb në Suharekë, dyshohet për krime lufte

Policia e Kosovës, ka njoftuar se sot rreth orës 12:00, në hyrje të autostradës në Reshtan të Suharekës, për interes të Gjykatës Themelore në Prizren-Departamenti për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës është arrestuar i dyshuari B. M. serb, i cili gjer më tani ndodhej në arrati.

Mediat serbe sot kanë njoftuar se në Suharekë është arrestuar një 74-vjeçar me iniciale B.M, me akuzën për “Krime të Rënda”, dhe “Krime Lufte”, shkruan Koha.net.

Ai, siç transmeton RTS, gjoja është nxjerrë nga grupi i serbëve të cilët kanë shkuar për të vizituar shtëpitë e veta në Mushtisht të Suharekës.

Ndaj këtij arrestimi, ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë , Marko Gjuriq, i cili ka thënë se ky arrestim, sipas tij është “vazhdim i politikës së spastrimit etnik të popullit serb”.

Në fund të reagimit të tij, Gjuriq është kërcënuar se durimi i autoriteteve në Serbi nuk është i pakufishëm dhe se “normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të bëhet nëse pala tjetër nuk e do”.