Arrestohet në Pejë kosovari i dënuar më 17 vjet burgim në Zvicër

Arrestohet në Pejë kosovari i dënuar më 17 vjet burgim në Zvicër

Një kosovar i dënuar për vrasje në Zvicër është arrestuar mbrëmë në Pejë. Demo Berisha (1963) ka qenë në arrati prej kohësh. Ai është i dënuar më 17 vjet burgim për vrasjen e një kosovari në shtetin zviceran. Vrasjen e ka kryer së bashku me djalin e tij, i cili është në vuajtje të dënimit.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e Berishës, i lindur në Leshan të Pejës.

“Mund te ju konfirmojë se me datë 26.07.2017, Njësiti për persona te arratisur (FAST Kosova) që vepron ne kuadër të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Kosovës, se bashku me një njësi të patrullës se Stacionit policor të Pejës kanë arrestuar te dyshuarin D. B. 1963 në bazë të urdhër kërkimit ndërkombëtar. Në bazë të këtij  urdhri i njëjti është i dënuar me 17 vjet për veprën penale vrasje, vepër e kryer ne Zvicër”, ka thënë për Insajderin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

I dyshuari sot gjatë ditës pritet të dërgohet në Gjykatën Themelore të Pejës. Bazuar në një marrëveshje dypalëshe të Kosovës dhe Zvicrës të quajtur Marrëveshje mbi transferimin e personave të dënuar, i dyshuari pritet të ekstradohet për vuajtje të dënimit./Insajderi.com