Një aksident trafiku me lëndime trupore është raportuar me datën 6 shtator 2017 nw Mitrovicë, ku si pasojë i lënduar ka mbetur motoçiklisti viktima i moshës 61 vjeçar, i cili ende është duke u kuruar në QKUK.
Avni Zahiti, zyrtar për informim publik i Policisë, njofton se nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe elementeve tjera rrethanore hetuesit e Njësisë së trafikut rajonal dyshimet e para i kishin ngritur se motoçiklisti (viktima) ishte goditur nga ndonjë automjet, ku ngasësi nuk ishte ndalur në vendin e ngjarjes.
“Hetuesit policorë mbi bazën e vlerësimit fillestar të rrethanave të aksidentit përfshirë segmentin rrugor, gjurmët e mbetura, pozitën e motoçikletës, veprimet e para hetimore i kanë orientuar në kërkim të ndonjë veture të dëmtuar me rrethana dhe pozicione që i përshtaten aksidentit në fjalë dhe pas një hetimi verifikimi intensiv nëpër vendet ku kryhen shërbime për rregullimin e veturave, me datën 7 shtator 2017, në një punëtori të rregullimit të veturave në qytetin e Drenasit identifikohet vetura e tipit VW ‘golf 2’, e cila përputhej me gjurmët dhe dyshimet e ngritura në rrethanat e aksidentit”, bën të ditur Zahiti.
Sipas tij, pas identifikimit të veturës është identifikuar edhe ngasësi, i dyshuari N. S. 29 vjeçar, të cilit me urdhër të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit policor.