Arrestohet biznesmeni i afërt me kryeministrin Haradinaj [FOTO]

Arrestohet biznesmeni i afërt me kryeministrin Haradinaj [FOTO]

Biznesmeni, Genc Meraku i cili në vitin 2007 kishte kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), është arrestuar gjatë ditës së djeshme për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Sipas Policisë së Kosovës, biznesmeni Meraku kishte shtënë me armë zjarri në ajër në një aheng familjarë.

Rasti ka ndodhur në fshatin Hajvali në Prishtinë rreth orës 18:37, shkruan Insajderi.

“Njësitë policore në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale kanë gjetur dhe konfiskuar 9 gëzhoja. I dyshuari e ka dorëzuar vullnetarisht një revole me 2 karikatorë të zbrazët. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Biznesmeni Genc Meraku në fillim të këtij viti ka fituar një tender nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kompania e tij “ Zero Pozitive” është shpallur fituese në dhjetor të vitit të kaluar. Oferta e kësaj kompanie për tenderin për mirëmbajtjen e ueb-faqes së kryeministrisë është në vlerë prej mbi 13 mijë eurosh.

Meraku është pronar i kompanisë, “TOK Holding” dhe “Zero Pozitive”. /Insajderi.com