Arrestohen 24 persona në lidhje me sulmin në spitalin ushtarak në Kabul

15.03.2017 13:13
Arrestohen 24 persona në lidhje me sulmin në spitalin ushtarak në Kabul

Një zyrtar afgan thotë se autoritetet kanë arrestuar 24 persona, përfshirë këtu një gjeneral ushtrie, nën akuzat se kanë neglizhuar detyrën e tyre, gjatë sulmit ndaj një spitali ushtarak në Kabul.

Gjenerali Helaludin Helal, që është zëvendësministër i Mbrojtjes, ka shpalosur sot të gjetura preliminare të hetimit, për sulmin e 8 marsit në spitalin ushtarak Sardan Mohammad Khan.

Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ku persona të armatosur, të veshur si zyrtarë mjekësorë kanë shtënë mbi doktorët, pacientët dhe vizitorët në spitalin me 400 shtretër.

Helal tha se 24 persona janë arrestuar dhe janë duke u hetuar për neglizhimin e detyrës zyrtare për të parandaluar sulmin. Por ai mohoi se persona “të brendshëm” janë të përfshirë në sulm.

Mediat afgane dhe perëndimore, duke cituar burimet e sigurisë dhe të mbijetuar të sulmit, kanë raportuar se praktikantët e këtij spitali kanë ndihmuar që të kryhet sulmi.

Të njëjtat burime kanë thënë se numri i viktimave ka arritur afër 100, shkruan REL.

Helal ka thënë se numri i viktimave nga ky sulm është nga 30 deri në 50. Javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga sulmi në spitalin ushtarak janë vrarë 49 persona.