Arrestimet nga Serbia do ta dëmtojnë normalizimin e marrëdhënieve

30.09.2016 19:40

Nehat Thaçi, drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, i cili është arrestuar të mërkurën në mbrëmje rreth orës 20:00, në vendkalimin kufitar në Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë, gjendet në Qendrën e paraburgimit në Nish, kanë njoftuar autoritetet e Serbisë.

Arrestimet nga Serbia do ta dëmtojnë normalizimin e marrëdhënieve

Ato kanë theksuar se Thaçi është arrestuar sipas fletarrestim të lëshuar nga Gjykata e lartë e Nishit në vitin 2009 për, siç thuhet, vepër penale të terrorizmit.

Zëdhënësja e Gjykatës së lartë në Nish, Iva Popoviç, ka thënë se Thaçi gjatë ditës do të dëgjohet, në mënyrë që gjyqi të vendos se a do të mbetet në paraburgim apo do t’i hiqet kjo masë.

Rastin e Thaçit e ka marrë Prokuroria e shtetit për krim të organizuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Vladimir Stanojeviq, zëdhënës i Prokurorisë së lartë publike të Nishit.

“Tash, ku ai është privuar nga liria, hetimet do të vazhdojnë, ndërkaq që lënden e ka marrë Prokuroria për krim të organizuar”, ka thënë Stanojeviq.

Por, arrestimi i zyrtarit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, nga ana e autoriteteve serbe, ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se rastet e tilla, sikurse arrestimi i zotit Thaçi, “ janë të papranueshme, ashtu sikurse është e papranueshme edhe rritja e numrit të kërkesave nga ana e Serbisë në kuadër të INTERPOL-it, ku shpeshherë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë të drejtë, ndalen në kufij të shteteve fqinje”.

Valon Murtezaj, zëvendësministër i jashtëm i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se sjelljet e tilla të autoriteteve të Serbisë ngritin pikëpyetje të mëdha nëse ky vend dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, për çka edhe është duke u bërë dialogun në Bruksel.

“Kur sheh akte dhe sjellje të tilla, lind pyetja se a po interesohet Qeveria e Serbisë për progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo është e interesuar për regres në kuadër të këtij procesi. Këto sjellje janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë klimës së dialogut për të cilën gjë janë të dy shtetet duke negociuar në Bruksel, pra, me qëllim të normalizimit. Prandaj, si të tilla ato duhet të evitohen dhe nuk duhet të përsëriten”, thotë Murtezaj.

Njohësi i zhvillimeve politike, Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se arrestimet e zyrtarëve të Kosovës, por edhe qytetarëve të saj, në bazë të fletë-arresteve të Serbisë që datojnë që nga koha e luftës e deri më sot, janë vazhdimësi e mendësisë së politikës së këtij vendi.

“Përkundër ndryshimeve të elitave në Serbi, autoritet serbe nuk kanë marrë asnjë hap për të dëshmuar se nuk kanë ndonjë ngjashmëri dhe se nuk duan të ndërlidhen në të ardhmen ose në të sotmen me periudhën e 99-ës.”

“Kështu që, qëllimisht i lënë këto urdhër-arreste për të ndërtuar procese politike në raport me Kosovën. Natyrisht, në substancë e pengon normalizimin e marrëdhënieve, sepse një numër i madh i zyrtarëve kosovarë nuk mund të shkojë në Serbi për çfarëdo formati, qoftë bilateral, qoftë multilateral, apo të kalojë nëpër Serbi”, thotë Rashiti.

Zëvendësministri Murtezaj thotë se Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialogun Kosovë- Serbi, është njoftuar edhe më parë lidhur me veprimet e ngjashme të autoriteteve të Serbisë ndaj zyrtarëve, por edhe qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian, duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se arrestimet e tilla janë të papranueshme .

“Këto çështje janë ngritur vazhdimisht, mirëpo është e vërtetë që tani është momenti që BE-ja të jetë shumë e qartë dhe shumë e drejtpërdrejtë me Qeverinë e Serbisë, në mënyrë që t’i bëhet tepër e qartë që këto sjellje janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen”, thotë Murtezaj.

Analisti Rashiti, ka vlerësuar se çështja e arrestimeve të zyrtarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, apo edhe e fletë- arresteve të cilat i ka ngritur në Interpol, është mjaft serioze dhe duhet të jetë temë e tavolinës së diskutimeve në Bruksel.

Sjelljet e tilla, sipas tij, do ta ngurtësojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se kjo e fundit, po e ruan aparatin, të cilin e ka përdorur në vitet ’90, në raport me qytetarët e Kosovës.