Arqipeshkvi nga Italia interesohet të ndihmojë fëmijët kosovarë me kancer

20.03.2017 17:36
Arqipeshkvi nga Italia interesohet të ndihmojë fëmijët kosovarë me kancer

Vincezo Paglia është arqipeshkvi nga kisha katolike në Itali, ka vizituar sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) përkatësisht Klinikën e Pediatrisë.

Ai shprehu interesimin e tij për të ndihmuar fëmijët e sëmurë nga kanceri dhe leukemia e që momentalisht trajtohen në këtë klinikë.

Në këtë takim, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka shpjeguar në lidhje me organizimin e SHSKUK-së dhe Qendrës Klinike Universitare dhe për interesimin që ka treguar Paglia për Kosovën edhe në ditë më të vështira para, gjatë dhe pas luftës.

Në takim doktor Gjocaj, kërkoj përkrahjen e Vatikanit për SHSKUK, në këtë rast për fëmijët e sëmurë nga kanceri dhe leukemia, por edhe në fusha të tjera me rëndësi të veçantë për shëndetësinë e Kosovës, njofton QKUK përmes një komunikate.

Dr. Izet Sadiku, zëvendësministër i Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë takim theksoi bashkëpunimet e deritanishme që kanë pasur me shtetin e Italisë në fushën e shëndetësisë, duke cekur sidomos fushën e kardiokirurgjisë së fëmijëve, por edhe ndihma të tjera në trajtimin e fëmijëve me leukemi dhe lëmi tjera.

Ai theksoi se janë duke pritur konfirmimin nga ministrja e re e shëndetësisë së Italisë që të nënshkruhet një marrëveshje e re e bashkëpunimit me qëllim të përkrahjes së mëtejme nga shteti i Italisë për Kosovën.

Doktor Metush Disha, kryesues i Bordit në detyrë të SHSKUK-së, theksoi se kjo vizitë është e mirëseardhur sidomos kur kihet parasysh fakti se një shqiptare është shenjtëruar nga Papa, në këtë rast Nënë Tereza.

Paglia ka ardhur në vizitë në Kosovë me ftesë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. /Insajderi.com